
Njëlloj si ai, shumë bosë mafiozë i kanë shpëtuar autoriteteve duke ndërtuar “qytete” nëntokësore poshtë vendbanimeve normale. Një botë e nëndheshme e ndërtuar në shtrate lumenjsh të tharë të lidhur me tunele që duket se nuk përfundojnë kurrë.
Për t’i nxjerrë “urithët” e krimit nga aty, autoritetet italiane formuan një njësi të veçantë ushtarake të përbërë nga ushtarë elitarë të stërvitur mjaft mirë, të mbiquajtur “Cacciatori”, ose “Gjahtarët”. Në 25 vitet e fundit ata kanë arritur të arrestojnë 300 të arratisur, fotografitë e të cilëve ekspozohen si trofe në zyrën e tyre. Gjithashtu kanë arritur të zbulojnë 400 tunele të cilët përshkruhen si “vepra inxhinierike superiore”.

Njësia u ngrit fillimisht në vitin 1991 për të luftuar një fenomen tepër të përhapur në Kalabrinë e atyre viteve, rrëmbimin e personave. “Me kalimin e viteve ky fenomen thuajse u zhduk”, thotë Majori Carmelo Aveni, komandanti i “Gjahtarëve” për “The Guardian”. “Një tjetër urgjencë na doli përpara. Bosët e vjetër të ‘Ndrangheta-s, të cilët gjithmonë kanë qenë të pranishëm në atë zonë, filluan të forcoheshin dhe të merrnin guxim”.

Dikur të përqeshur nga Mafia siciliane dhe Camorra napolitane, sot ‘Ndrangheta është organizata kriminale më e fuqishme në Itali dhe një prej më të pasurave në botë. Sipas një studimi të Institutit Kërkimor “Demoskopita” të vitit 2013, ajo është më e fuqishme financiarisht se “Deutsche Bank” dhe “McDonald” bashkë, me të ardhura vjetore që shkojnë në 53 miliardë euro.

Sipas hetuesve, sekreti i suksesit është pikërisht territori. Bosët rrallëherë braktisin vendlindjen e tyre, që zakonisht është ndonjë fshat i largët, pavarësisht se organizojnë dhe drejtojnë operacione globale që vlejnë miliona. Për t’u mbrojtur ata ndërtojnë tunele dhe bunkerë të sofistikuar në male që mund të arrihen vetëm në këmbë.

“Për t’i arrestuar duhet të jesh i stërvitur mirë, në gjendje të ngjitësh shpatin e malin, të hidhesh nga helikopteri në lëvizje pa harruar aftësinë për të përballuar të ftohtin dhe urinë për ditë më radhë ndërsa monitoron lëvizjet e të dyshuarve”, thotë Aveni. “Dhe e gjithë kjo duhet bërë në errësirë”.

Nëpër bunkerët ku fshihen bosët zakonisht gjen televizorë, kondicionerë, kompjuterë, armë dhe fotografi të shenjtorëve. Gjithashtu, “Gjahtarët” kanë gjetur edhe kodin penal italian, të cilin kriminelët e studiojnë para se të dalin para gjyqit. Ndërkohë, jashtë bunkerëve ka vetëm pyje të dendur, ujq dhe derra të egër…
A ia vlen të ndërtosh një perandori kriminale e më pas të jetosh i fshehur si një mi? Sipas hetueseve italiane, kjo u jep edhe më tepër forcë bosëve të ’Ndrangheta-s. “Flijimi i jetës për hir të familjes kriminale ka efekt të dyfishtë”, thotë Kryeprokurori i Katanxaros, Nicola Gratteri për “The Guardian”. “Nga një anë, bosët i japin një mesazh armiqve që mund të përfitojnë nga mungesa e tyre në territorin që kontrollojnë. Nga ana tjetër i japin një mesazh edhe hetuesve, duke u thënë që janë ende këtu dhe kanë gjithçka nën kontroll”.

Kur “Gjahtarët” arrestuan Girolamo Facchineri-n në vitin 2018 e gjetën të ulur në karrige duke pikrë kafen. “Na përgëzoi dhe na tha se ishim treguar shumë kompetentë për shkak se arritëm ta gjenim”, kujton një pjesëtar i skuadrës speciale.
