Site icon PrishtinaPress

Giovanni Pietro Barbano merr detyrën si shef i ri i EULEX-it

Giovanni Pietro Barbano ka marrë detyrën si shef i ri i EULEX-it.

Në njoftimin e EULEX-it thuhet se ai ka më shumë se 40 vite përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë, dhe operacione të paqes.

Barbano pason diplomatin suedez, Lars-Gunnar Wigemark, i cili përfundoi detyrën si Shef i Misionit më 25 qershor.

“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Barbano.

Ai është shprehur se EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor.

“EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor, dhe në nivel korrektues, për të vlerësuar se si ato raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës. Mes tjerash, monitorimi do të përqendrohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë për gjykime të drejta, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.”

“Ndjehem i nderuar nga besimi që Shtetet anëtare më kanë dhënë, dhe me padurim pres të vazhdoj trashëgiminë e paraardhësit tim, Lars-Gunnar Wigemark,” përfundoi Barbano.

Exit mobile version