Ish kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se parashikimi i Bankës Botërore për rritje ekonomike në Kosovë prej 3.9 % në vitin 2024, është i dëshiruar por vështirë i realizuar.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se emëruesi i përbashkët për zgjedhjen e problemeve ekonomike në Kosovë është stabiliteti politik që për fat të keq Kosovës po i mungon falë mungesës së një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Postimi i tij i plotë:
Në kohën kur efektet e inflacionit ende po godasin ekonomitë më të fuqishme të shteteve evropiane nuk duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të orientuara në rritje ekonomike numerike por për rritje ekonomike substanciale.
Republika e Kosovës ka nevojë si kurr më parë për rritje ekonomike jo vetëm 3.9% por edhe për rritje dy shifrore sepse jemi të vonuar në shumë dimensione ekonomike krahasuar me shtetet tjera në nivelin rajonal dhe evropian.Emëruesi i përbashkët për zgjedhjen e problemeve ekonomike në Kosovë është stabiliteti politik që për fat të keq Kosovës po i mungon falë mungesës së një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në mungesë të stabilitetit politik nuk ka investime të huaja direkte por ka hezitim për të investuar në forma më të avancuara edhe nga Diaspora e jonë.Nga Kosova po largohen qytetarët falë liberalizimit të vizave por edhe kapitali i bizneseve vendore po investohet jashtë falë mungesës së stabilitetit politik, mungesës së dialogut të mirëfilltë publiko – privat, mungesës së një vizioni pro biznes dhe pro një ekonomie të tregut, mungesës së një diplomacie ekonomike në interes të zhvillimit ekonomik, masat e BE-së që po e dëmtojnë ekonominë tonë në shumë dimensione e në veçanti sektorin e IT-së apo digjitalizimin, mos investimet në projekte kapitale dhe kinse ruajtja e parasë që është qasje e gabuar duke pasur parasysh Inflacionin në Kosovë, kur kemi rritje të kamatave bankare dhe sida të tjera me të cilat po ballafaqohet sektori privat në Kosovë.
Republika e Kosovës ka nevojë për rritje substanciale apo në substancë e jo vetëm rritje numerike.Po të jenë parashikimet për rritje ekonomike 2% por të bazuar në shumë parametra ekonomik si rritja e investimeve të huaja, rritja e eksporteve të produkteve “Made in Kosova “, krijimi i vendeve të reja të punës, transferin e teknologjisë moderne dhe të sistemit know – hov, eksporti i shërbimeve, rritja e numrit të turistëve dhe kontraktimi i punëve dhe implementimi i projekteve në vende jashtë Kosovës të implementuara nga Bizneset vendore kish me qenë shumë më me rëndësi për Kosovën se sa të parashihet rritje afër 4% e bazuar vetëm në konsum duke eksportuar para të gatshme e duke importuar mallra dhe shërbime nga jashtë së bashku me Inflacionin importues që produktet bazike i bënë më të shtrenjta në Kosovë se sa në vendet perëndimore.
Këtë dukuri të çmimeve të larta e vëren më së shumti diaspora jonë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.E pagat në Kosovë qoftë në sektorin publik qoftë në atë privat janë më të ulëtat në rajon.
Prandaj është koha kur duhet të kuptohet rëndësia e rritjes ekonomike substanciale e jo ajo numerike për ardhmërinë e Republikës së Kosovës dhe ky duhet të jetë fokus i të gjithë akterëve vendor dhe ndërkombëtar.