Ministrja e punëve të Jashtme, ka takuar delegacionin nga landi i Bavarisë, përfaqësues të CSU-së dhe personalitete nga kultura, biznesi e politika në Gjermani, të udhëhequr nga ish-kryeministri bavarez, Gunther Beckstein.
Gërvalla tha se në takim u fol për situatën politike dhe të sigurisë në vend e rajon, të arriturat e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik por edhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.
“Patëm një diskutim miqësor dhe të hapur rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë si anëtarësimi në Këshillin e Evropës për të cilin ndamë mendimin që Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim duke qenë shembull të respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, liri të shprehjes dhe atyre fetare”, tha Gërvalla.
Këtë javë, Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, të cilët do të mblidhen më 17 maj.
Partnerët e Kosovës, i kanë kërkuar qeverisë që ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që pranimi në Këshillin e Evropës të jetë i mundur, por deri më tani, një gjë e tillë është refuzuar nga kryeministri Albin Kurti.