Site icon PrishtinaPress

Gërvalla takon delegacionin faktmbledhës të KE-së, kërkon anëtarësimin e shpejt të Kosovës

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka pritur dje në takim delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, i cili po qëndron në Kosovë, në një vizitë fakt-mbledhëse, në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përmes një komunikate për media, MPJD njofton se Gërvalla njoftoi delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe “progresin e shënuar në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, progres ky i vlerësuar lartë edhe nga organizatat e pavarura ndërkombëtare”.

Në vazhdim në komunikatë thuhet se kryediplomatja kosovare theksoi nevojën e anëtarësimit të plotë dhe të shpejtë të Republikës së Kosovës në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, me të cilën Kosova ndan vlera të përbashkëta.

Duke shprehur gatishmërinë dhe vendosmërinë e Institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar në fazat vijuese të anëtarësimit, Ministrja Gërvalla nënvizoi edhe përfitimin e drejtpërdrejtë që qytetarët e Kosovës, pa dallim, do të gëzonin nga mekanizmat mbrojtës të kësaj organizate, me theks të veçantë qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Takimi i Ministres Gërvalla me delegacionin nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është njëri nga takimet e shumta që ajo dhe Zëvendësministri Ahmeti kanë zhvilluar si përpjekje për të rritur përkrahjen e plotë dhe të palëkundur deri tek anëtarësimi përfundimtar në këtë organizatë”.

Vizitës fakt-mbledhëse të raportueseve nga dy Komitetet përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, znj. Azadeh Rojhan dhe znj. Béatrice Fresko-Rolfo, i parapriu vizita e znj. Bakoyannis si raportuese kryesore për përgatitjen e Opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila qëndroi në Kosovë në fillim të muajit nëntor. Pas votimit të Opionionit të znj. Bakoyannis në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave vendos se kur të ftojë Kosovën si anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version