Site icon PrishtinaPress

Gërvalla: Rrëmbimi i policëve brenda territorit të Kosovës akt agresioni i Serbisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se rrëmbimi i policëve në detyrë brenda territorit të Kosovës është një akt agresioni i Serbisë dhe shkelje e normave ndërkombëtare.

Ajo kërkoi që komuniteti ndërkombëtar ta dënojë këtë akt dhe të bëjë presion për lirimin e policëve kosovarë sa më shpejtë dhe pa kushte.

Këto komente ajo i bëri gjatë një takimi që pati me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Tunç Angili ku në mesin e temave që u disktuan ishte edhe situata e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Në një njoftim për media të MPJD-së thuhet se Gërvalla e falënderoi ambasadorin dhe shtetin turk për ndihmën e dhënë Republikës së Kosovës në shumë fusha, veçanërisht në fushën e trajnimeve ushtarake.

Kryediplomatja kosovare gjithashtu falënderoi Angilin për mbështetjen e Turqisë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, integrimin në strukturat atlantike dhe ndihmën e ofruar në sigurimin e njohjeve të reja.

Gjatë takimit u diskutuan edhe tema të tjera siç janë proceset aktuale të reformave që vendi po kalon, sfidat e ardhshme në rrugën e integrimeve euro-atlantike, si dhe thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe ekonomike me Republikën e Turqisë.

Exit mobile version