Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka pritur sot në takim Ambasadorin e parë rezident të Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier.
Në këtë takim ata kanë biseduar për proceset integruese të Republikës së Kosovës, për mbështetjen e Belgjikës në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.
“Biseda u përqëndrua rreth situatës politike në vend, angazhimeve të institucioneve në siguri, demokratizim dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar se Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend”, thuhet në njoftimin për media.
Ministrja Gërvalla dhe Ambasadori Cruvelier biseduan edhe për mërgatën kosovare në Belgjikë si dhe për bashkëpunimin në kulturë, arsim dhe shkencë e mundësitë e investimeve në Kosovë.
“Në fund Ministrja Gërvalla ka falënderuar Ambasadorin Cuvelier për mbështetjen e shtetit belg ndaj Kosovës dhe vlerësoi se prania e misionit rezident të Belgjikës në Kosovë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e fuqizimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, në arritjen e interesave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.