-2.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Gërvalla: Po kërkojnë t’i vënë flakën Kosovës nga brenda, s’do të ndodhë

Për ministren e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk ka dyshim se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte akt i kryer nga Serbia.

Shefja e diplomacisë kosovare thotë se Serbia e ka treguar që nuk dëshiron progres në dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes palëve, por për Kosovën, dialogu mbetet e vetmja zgjidhje.

“Serbia nuk është aspak e interesuar që të jetë aktive në procesin e dialogut në Bruksel. Ata po shtiren se janë të interesuar dhe njëkohësisht po pengojnë çdo arritje në këtë proces, që të mund të vijojnë me planet e tjera të tyre. Uroj që ngjarjet e së dielës t’ia kenë qartësuar të gjithëve se presioni i njëanshëm që i bëhet Kosovës dhe mirëkuptimi që Serbia nuk është e aftë të jetë pozitive në këtë proces, duhet dhe do të përfundojë. Kosova nuk ka interes të hapë luftë me askënd. Përgjigja e vetme është dialogu”, thotë Gërvalla.

Sipas ministres Gërvalla, Serbia ngulmon në krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, jo për të ndihmuar qytetarët në veri, por për të destabilizuar më tej Kosovën.

“E diela dëshmoi pikërisht atë që Serbia dëshiron të bëjë në Kosovë. Nuk do diçka që të koordinojë nevojat e serbëve, por diçka që ta bëjë Kosovën të shpërthejë nga brenda. Kjo nuk do të ndodhë!” shprehet ajo për Euronews Albania.

Sulmin e Banjskës, ministrja e Jashtme e cilësoi jo surprizë, ndërsa nuk ngurroi të kritikojë ndërkombëtarët se nuk i kanë dëgjuar alarmet e mëhershme të ngritura nga Kosova për kontrabandën e armëve në veri.

“Prej muajsh i kemi thënë partnerëve dhe aleatëve tanë. Kemi pasur aksione policore ku janë ndaluar mjete të mbushura me armë. Por e kemi ndjerë se ata nuk kanë qenë të gatshëm të na dëgjojnë. Ne mendojmë se ata kanë dashur ta interpretojnë këtë si mënyrë që Kosova të dilte nga procesi i dialogut dhe nuk e kanë parë që ne jemi pala e vetme e interesuar për të gjetur një zgjidhje”, thotë ministrja e Jashtme e Kosovë.

Gërvalla përsëriti kritikat për të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, si të paaftë për të ndërmjetësuar dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Nuk jam unë personi që duhet t’i tregoj BE, Brukselit dhe vendeve anëtare se kush i përfaqëson ata në këtë proces, por kjo nuk është hera e parë që Lajçak ka treguar se nuk ka një strategji apo plan sesi ta udhëheqë dhe ndërmjetësojë dialogun. Besoj që shtetet anëtare do ta konsiderojnë këtë gjë dhe uroj të kemi një proces dialogu që mund të sjellë progres”, shprehet Gërvalla.

Megjithatë, për shefen e diplomacisë kosovare, vendi nuk ka alternativë tjetër veç anëtarësimit në NATO dhe BE.

Ndërkohë, idenë e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ngritjen e dialogut në një nivel konference, Gërvalla e cilësoi të rrezikshme.

“Trembem kur dëgjoj konferenca, sepse më kujtohet ajo që ndodhi në vitet ’90. Konferencë pas konference, ndërsa njerëzit në Bosnje vdisnin. Ky është një propozim shumë i rrezikshëm. Neve nuk na duhen konferenca ndërkombëtare, jemi shtete sovrane. Na duhet një proces i sinqertë dhe që hap dyer reale për Kosovën dhe Serbinë që të mund të normalizojnë marrëdhëniet”, thotë shefja e diplomacisë në Kosovë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img