Me ftesë të ministres së Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Toronto, për të marrë pjesë në Takimin e Grave Ministre të Punëve të Jashtme.
Siç njofton MPJD, ky takim, i cili do të zgjasë dy ditë, është bashkorganizim i Kanadasë dhe Xhamajkës dhe mbledh ministre nga e gjithë bota për të diskutuar situatat e rënda me të cilat përballen gratë në vende si Afganistani, Irani, Ukraina dhe vende të tjera si dhe për të ofruar mbështetje konkrete.
“Ministrja Gërvalla do të zhvillojë gjithashtu takime dypalëshe me ministret e jashtme të vendeve të tjera pjesëmarrëse. Ky takim, i cili mbahet në vazhdën e një formati tashmë të konsoliduar të takimeve të grave Ministre të Punëve të Jashtme, synon të identifikojë dhe ofrojë zgjidhje për sfidat politike dhe të sigurisë, të cilat prekin në radhë të parë gratë dhe pasojat e këtyre sfidave për shoqëritë e ndryshme dhe sigurinë globale”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.