Home Baner Gërvalla: Luftimi i dhunës ndaj grave kërkon përfshirjen e të gjithëve

Gërvalla: Luftimi i dhunës ndaj grave kërkon përfshirjen e të gjithëve

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike në Mitrovicë, ku është diskutuar për format e ndryshme të dhunës, përfshirë atë në shkolla dhe në hapësirën digjitale.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla ka theksuar se një shoqëri e barabartë ndërtohet duke filluar nga mënyra se si edukohen brezat e rinj, nga respekti për dinjitetin e secilit dhe nga marrëdhëniet pa paragjykime mes vajzave dhe djemve.

“Nënvizova se luftimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave kërkon domosdoshmërisht përfshirjen aktive të djemve dhe burrave. Nuk mund të kërkojmë barazi pa angazhimin e të gjithëve dhe nuk mund të ndërtojmë siguri duke e lënë asnjë palë jashtë kësaj përgjegjësie”, ka shkruar Gërvalla.

Ministrja ka theksuar se mendimet, pikëpamjet dhe përvojat e të rinjve duhet të kenë vendin e merituar në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031.

“Politikat që ndërtojmë duhet të pasqyrojnë realitetin që ata përjetojnë dhe pritjet e tyre për një shoqëri më të sigurt dhe më të barabartë”, ka shkruar Gërvalla.

Exit mobile version