Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se e drejta e mërgatës për të votuar, si e drejtë themelore demokratike, buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ndërsa mënyra e votimit rregullohet me Ligjin e ri Zgjedhor, të miratuar gjatë këtij mandati qeverisës nga Kuvendi i Kosovës.
Në një postim në Facebook, ajo ka theksuar se e drejta e votës për mërgatën nuk guxon të mbetet vetëm në letër. Ajo duhet të mundësohet kudo dhe për të gjithë.
“Zhurmaxhinjtë, të cilët kaq herët paska filluar t’i pengojë mundësimi i votimit të mërgatës në ambasada dhe misione anekënd botës, i këshilloj të qetësohen dhe të studiojnë ligjin. Ka kaluar njëherë e përgjithmonë koha kur për motive të ulëta politike, vota e mërgatës pamundësohej dhe gjymtohej deri në ekstrem”.
“Mërgata është pjesë e pazëvendësueshme e Kosovës. Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ajo do të mund të votojë pa barriera burokratike dhe administrative dhe për herë të parë edhe në ambasada dhe konsullata, por edhe përmes postës, pra ashtu siç e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.