Site icon PrishtinaPress

Gërvalla: BE-ja ende pa qëndrim të qartë e zyrtar për Banjskën

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka folur në Gjermani për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Gërvalla ka shprehur shqetësimin, pasi siç thotë ajo, që nga shtatori ende nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të Bashkimit Evropian për aktin e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ministrja Gërvalla i informoi të pranishmit për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit, duke shprehur shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Kujtojmë se më 24 shtator, si pasojë e një konfrontimi me armë me një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ka humbur jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ka mbetur i plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.

Të vrarë kanë mbetur edhe tre nga terroristët serb që morën pjesë në agresionin e dhunshëm, teksa disa të tjerë u arrestuan, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.

Kosova ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmin terrorist, gjë që u mohua nga Beogradi zyrtar, të cilët thanë se kjo ishte revoltë e serbëve lokalë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.

Exit mobile version