Site icon PrishtinaPress

Gecaj: Po punojmë që t’i sigurojmë votat e LDK’së për Demarkacionin

Qeveria e Kosovës ende nuk i ka siguruar votat e deputetëve për Demarkacionin ndonëse e ka paralajmëruar riprocedimin e tij në Kuvend gjatë javës së ardhshme.

Zyrtarë nga Qeveria thonë se për sigurimin e votave për çështjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi janë duke punuar në vazhdimësi, duke aluduar në atë se të njëjtët ende nuk kanë arritur që t’i bindin deputetët kundërshtues të versionit aktual të Demarkacionit.

Këshilltari politik i Kryeministri Mustafa, Bajram Gecaj, tha të premten për Express se Qeveria është duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që të arrihen votat e nevojshme që sigurojnë kalimin e marrëveshjes.

“Po punohet për t’i siguruar votat për Demarkacionin” tha Gecaj. Ndërkaq, pavarësisht kësaj Qeveria përfundimisht ka vendosur që pas tetë muajsh vonesë ta riprocedojë çështjen e shënjimit të kufirit me shtetin malazez në Kuvend.

Ky vendim erdhi pas dështimit të Kryeministrit Mustafa në Bruksel të cilit iu refuzua kërkesa drejtuar BE’së për heqjen e vizave në mënyrë që pas kësaj në një afat prej dy vjetësh të kryhet edhe çështja e Demarkacionit.

Gazeta Express dje gjatë ditës ka raportuar se deputetët ‘rebelë’ të LDK’së, që po kundërshtojnë Demarkacionin, kanë propozuar tek Kryeministri Isa Mustafa një zgjidhje që do t’i bindte ata ta votonin këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe do të shpëtonte Qeverinë Mustafa nga shpërbërja e saj.

Thirrjet që Demarkacioni me Malin e Zi të kryhet sa më parë pasi vendi po humb shumë kohë dhe po mbetet peng i proceseve të mëdha janë bërë vazhdimisht nga figura të larta ndërkombëtare  edhe gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

Ndërkaq, kohët e fundit janë shtuar zërat se java e ardhshme do të jetë vendimtare për koalicionin qeverisës dhe mandatin e tyre, dhe se nëse Demarkacioni nuk kalon, vendi do të shkojë në zgjedhje.

Exit mobile version