Gazetari Valon Syla është deklaruar sërish për sulmin fizik që ndodhi ndaj tij para disa ditësh nga tre të dyshuar, të cilët janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgim për 30 ditë.
Syla ka folur për lajmi.net rreth mos reagimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, duke thënë se “me këtë rast ka dështuar një pjesë e madhe e politikës dhe fesë”.
“Qysh po foli unë sot, duhet me fol edhe dikush tjetër. Le t’më shanë, le t’bon humor me Valon Sylën, qysh po bojnë disa faqe në Facebook dhe unë nuk idhnohna. Por, nuk mund të themi se dashuria ndaj një besimi është më e madhe sesa dashuria ndaj çka? Qe unë po e dojsha lirinë shumë. Dikush fenë shumë. Dikush flamurin shumë. Krejt preken a po? Po krejt ideja është që kjo me u bo në një ambient të civilizum, sipas ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës së Kosovës. Pikërisht në rastin tem ka dështu një pjesë e madhe e fesë edhe e politikës. Vjosa Osmani si mbrojtëse e Kushtetutës nuk reagon, edhe Tërnava si shef i Bashkësisë Islame të Kosovës nuk reagon, pra dy personat kryesor, njani që e mbron Kushtetutën, njani fenë, u dashtë me reagu. Të dy palët kanë dështu në reagim. Unë mendoj se ky është një provim i rrëzum, i pjekurisë së tyre politike për zyret që i bartin”, ka deklaruar ndër të tjerash Syla.
Ai ka thënë se përzgjedhja e Osmanit dhe Tërnavës për të mos reaguar për sulmin ndaj tij, është bërë për populizëm dhe ‘hesapet’ e tyre politike të zgjedhjeve. /PrishtinaPress/