Site icon PrishtinaPress

Gazetari serb: Shoqëria jonë është e manipuluar

Gazetari nga Beogradi, Nikola Kërstiq, është shprehur i befasuar me fitoren e thellë të partisë së Aleksandar Vuçiqit ne zgjedhjet parlamentare. Kërstiq konsideron se shoqëria serbe është e manipuluar nga fryma nacionaliste e regjimit aktual.

Vetëm disa orë pas mbylljes së kutive të votimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Në festën e partisë serbe u pa edhe Presidenti i entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik.
Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar afër 47% të votave, duke krijuar kështu një distancë të theksuar me partitë opozitare.

Tani partia e Vuçiqit pritet t’i ketë 129 ulëse ne parlamentin serb. E me këto rezultate te zgjedhjeve parlamentare, i befasuar shprehet gazetari nga Beogradi, Nikola Kërstiq.

“Me të vërtetë është befasuese që Partia Progresive Serbe ka fituar aq shumë vota edhe pas mbi një dekade qëndrimi në pushtet. Ata i kanë fituar gati 50 për qind të votave, kjo është shqetësuese dhe flet shumë për demokracinë që ka Serbia. Megjithatë ka shumë probleme edhe në mesin partive opozitare, ka vetëm pak prej tyre që janë majta më progresive, të tjerat janë ultra nacionaliste dhe kanë qëndrime ekstreme për Kosovën, e gjithashtu nuk e pranojnë se në Srebrenicë janë kryer masakra. Pra, skena politike në Serbi po dominohet nga partitë e djathta nacionaliste”, u shpreh gazetari Nikola Kërstiq.

Tutje, Kërstiq thotë se shoqëria serbe është e manipuluar nga politikanët nacionalist serb. Ai sheh pak dallime nga regjimi aktual serb krahasuar me atë të viteve të 90-ta.

“Jo aspak nuk mund t’i cilësoj si të lira zgjedhjet në Serbi. Këtu ka me dekada që po manipulohet me mendjen e shoqërisë serbe. Përgjatë këtyre viteve, Partia Progresive Serbe, e ka manipuluar publikun me mjete të ndryshme, prandaj as nuk e kanë të nevojshme të dalin e të vjedhin vota. Edhe para atyre, Serbia është udhëhequr nga politikanë nacionalist, thjesht po shohim një vazhdimësi të atyre regjimeve. Tani vetëm imagjinoni, Vuçiq është në atë pozitë që mund ta krijoj qeverinë vetëm me partinë e tij pa pasur nevoje për koalicione”, deklaroi Kërstiq, transmeton Teve1.

Në Serbi kanë garuar 18 parti për të fituar besimin e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.

Exit mobile version