1.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Gazetari i REL-it arrestohet dhe rrihet gjatë protestave në Gjeorgji, thotë avokati

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë (REL) thotë se është rrahur dhe arrestuar nga forcat e sigurisë derisa po ecte pranë Parlamentit të Gjeorgjisë në Tbilisi.

Jano Chkadua, avokat i gazetarit Beka Beradze, i tha REL-it se klienti i tij tha se po ecte pranë një proteste kundër Qeverisë mëngjesin e 1 dhjetorit kur u kap nga forcat e sigurisë.

Beradze i tha avokatit të tij se nuk ishte duke punuar në atë kohë dhe po ecte me miqtë pranë shtëpisë së tij, në zonën e protestave të nxitura nga vendimi i Qeverisë këtë javë për t’i pezulluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.

Pas një vizite te një mjek, Beradze u transferua në një qendër të përkohshme paraburgimi, tha Chkadua.

Chkadua i tha REL-it se Beradze kishte lëndime të dukshme në anën e djathtë të ballit.

“Kur zbuluan se ai ishte gazetar në REL, ata u bënë më agresivë dhe filluan ta rrihnin. Më pas u hodh në një furgon së bashku me të arrestuar të tjerë dhe u rrah për rreth një orë”, pretendoi Chkadua.

Këto akuza nuk mund të konfirmoheshin menjëherë.

Ministria e Shëndetësisë e Gjeorgjisë tha se 44 persona u lënduan gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës

Më shumë se 100 persona janë arrestuar në tre ditët e fundit, sipas autoriteteve, ndërsa Gjeorgjia është zhytur në kaos që nga fitorja e pretenduar nga partia miqësore me Rusinë, Ëndrra Gjeorgjiane, në zgjedhjet e diskutueshme parlamentare të tetorit.

Gjeorgjianët pro-BE-së janë zemëruar gjithashtu nga një njoftim i kryeministrit Irakli Kobakhidze se Qeveria e tij do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në BE dhe do t’i refuzojë grantet buxhetore nga Brukseli “deri në fund të vitit 2028.”

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë pretendon se protestuesit kanë “fyer dhe sulmuar fizikisht” oficerët e policisë dhe kanë hedhur objekte të ndryshme drejt forcave të sigurisë.

Megjithatë, video të ndryshme nga protesta shfaqën policinë duke rrahur protestuesit.

Kobakhidze sugjeroi më 30 nëntor se kishte “raste të izoluara” të brutalitetit të policisë, por edhe “dhunë sistematike” ndaj forcave të sigurisë nga protestuesit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i dënuan autoritetet gjeorgjiane për atë që e quajtën “përdorim të tepruar të forcës nga policia kundër gjeorgjianëve që kërkojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre për tubim dhe për t’u shprehur”. /REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img