Pas vrasjes së gruas, vajzës dhe të birit në sulmet ajrore të Izraelit në Gazë, gazetari palestinez Wael al-Dahdouh ka vazhduar të raportojë për fushatën e bombardimeve të izraelitëve në Gazë.
“Kjo kurrë nuk do të heshtë zërat tonë. Gazetaria është misioni ynë i shenjtë”, tha al-Dahdouh, transmeton Telegrafi.
Të mërkurën mbrëmë, gruaja, vajza dhe djali i al-Dahdouh, nipi dhe tetë kushërinj u vranë në sulmet ajrore izraelite, ku një bombë goditi shtëpinë brenda të cilës ishin strehuar në Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, pasi ishin zhvendosur nga prona e tyre.
“Izraeli shënjestron civilët dhe po kryen masakra mbi familjet. Është pjesë e asaj që familjet palestineze po kalojnë çdo ditë në Gazë”, tha al-Dahdouh.
Televizioni Al Jazeera kishte transmetuar videon e gazetarit duke mbajtur në kraharor trupin e pajetë të bijës së tij, e kufomën e të birit e vëzhgon duke qëndruar shtrirë në dyshemenë e spitalit.
Ndryshe Izraeli ka filluar sulmet hakmarrëse ajrore në Rripin e Gazës, pasi Hamasi filloi një sulm të befasishëm në territorin e Izraelit më 7 tetor.
Nga fillimi i këtyre bombardimeve janë vrarë 6.546 palestinezë, kurse 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, barna.