Sot autoritetet zvicerane kanë mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë dhënë detaje për ngjarjen tragjike të ndodhur në Epagny, ku dy trupa të pajetë u gjetën në një shtëpi të cilës edhe i ishte vënë zjarri, trasnmeton Gazeta Express.
Cedric Aebischer, kreu I Njësisë së Krimit të Përgjithshëm dhe Policisë së Sigurisë, ka thënë se të dy trupat janë identifikuar të premten.
Siç shkruan Blick.ch, një prej viktimave është bashkëshorti 41 vjeç, Blerim R. dhe gruaja 39 vjeçare, të dy të ardhur nga Kosova.
“Burri kishte një vrimë plumbi, gruaja e tij katër”, raporton Blick.ch, duke shtuar se burri kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas edhe veten, raporton Express.
“Autori ka shkuar në shtëpi mëngjesin e së enjtes dhe ka dashur të vizitojë gruan e tij, e cila punonte aty si pastruese. Para shtëpisë ai ka takuar pronarin e pronës, i cili i ka kërkuar të largohet. Më pas autori ka qëlluar të shtënat e para. Menjëherë më pas, ai qëlloi me armë partneren e tij në katin përdhesë të shtëpisë. Më pas vrasësi vrau veten në katin e sipërm të shtëpisë”, shkruan Blick.ch, transmeton Gazeta Papirus.
Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm, Fabien Gasser, ka thënë se burri kishte qenë i ndaluar nga 18 shtatori deri me datën pesë dhjetor 2024 për dhunë në familje, para se të lirohej me disa kushte.
Sa i përket zjarrit, hetimet janë ende duke vazhduar. Siç shkruan Blick.ch, po ndiqet hipoteza se vetë autori i krimit ia ka vënë zjarrin, por që s’përjashtohen edhe mundësi të tjera.