Përgjigje e Gazetës Express për padinë e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, për dokumentarin e Zona Express, Shtabi i Milionerëve, me autor Leonard Kerqukin.
Po e citojmë Albin Kurtin, Liderin e Lëvizjes Vetëvendosje:
Gani Thaçi do të ishte një qytetar i mirë i Kosovës, sikur të mos ishte vëllai i Hashim Thaçit. Por pasi që është vëllai i tij, tash ai është kriminel.
Janë të pafundme akuzat e kësaj partie, shumë herë më të drejtë, për pjesën më të kriminalizuar të PDK’së, atë të lidhur në mes të luftës dhe biznesit. Në mes të komandantit dhe vëllait të tij. Në mes të atyre që ishin mbi ligjin dhe tenderëve multimilionësh.
Gazeta Express, gjegjësisht emisioni i prodhuar Gazeta Express, Zona Express, me autor Leonard Kerqukin, hulumtuan për javë të tëra rreth lidhshmërisë së kapitalit të akumuluar nga ata që e përbënin Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së. Sigurisht, kjo gjë ishte sfiduese. Secila mafi i ka rregullat e veta, e natyrisht edhe kjo jona nuk është pa to.
Marrë parasysh edhe karakterin tradicional të shoqërisë tonë, atëherë zakonisht për të humbur gjurmët, ose për t’i humbur gjurmët vetëm përpara ligjit në kuptimin teknik, ish-anëtarët e Shtabit të UÇK’së, që ne i kemi quajtur si Shtabi i Milionerëve, prej pasluftës kanë realizuar gjimnastika financiaro-pronësore. Në vend që të pasuroheshin de jure, janë pasuruar de facto. Edhe pse jo çdo herë. Kohë pas kohe, disa prej tyre, kanë mbledhur mjaft guxim sa për të qëndruar edhe vetë prapa pasurisë.
Mirëpo, shumicën e kohës, sipas supozimeve të Albin Kurtit, kanë vendosur që t’i kriminalizojnë vëllezërit, baxhanakët, nipat, dajat, ose të gjithë së bashku. Sepse pasuria e tyre ishte enorme.
Zona Express, në dokumentarin Shtabi i Milionerëve, ka raportuar për Hashim Thaçin dhe vëllezërit e tij, Sami Lushtakun dhe ortakët e tij, Kadri Veselin dhe ortakët e tij, Rexhep Selimin dhe vëllezërit e tij, Sylejman Selimin dhe vëllezërit e tij, Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinaj.
Zona Express e kishte parë të arsyeshme që ta studiojë pasurinë e këtyre komandantëve në kontekst familjar, siç edhe e funksionon kjo shoqëri. Nëse e shikon Hashim Thaçin si individ, si familje të ngushtë, sigurisht që gjëja e parë që të shkon në mendje është mbledhja e një donacioni për të përmirësuar gjendjen e tij financiare. Por kur e zgjeron vetëm pak rrethin, kur aty e fut Ganiun, Blerimin etj, atëherë pasuria e tij merr përmasa rajonale.
E njëjta logjikë vlen edhe për Ramushin, Fatmirin, Kadriun, Samiun, e patjetër edhe për Rexhep Selimin, i cili ka vendosur të ngrejë padi ndaj raportimit të Zona Express.
Sigurisht që kemi qenë të vetëdijshëm për mundësinë e një veprimi të tillë juridik, nga ndonjëri prej protagonistëve. Ata tash janë shumë të interesuar t’iu drejtohen rrugëve ligjore, pasi që fillimisht kanë realizuar pasuri multimilionëshe në rrugë joligjore,
E njëjta logjikë vlen edhe për Selimin, i cili duket sikur më shumë ka nevojë të dëshmojë pastërtinë e tij Lëvizjes Vetëvendosje, se sa qytetarëve të Kosovës. Sepse qytetarët e Kosovës e dinë të vërtetën. E dinë qytetarët e Prishtinës, e dinë qytetarët e Klinës, por edhe ata të Kosovës.
Ai dhe familja e tij kanë marrë pjesë në privatizime skajshmërisht të dyshimta. Kanë fituar tenderë publikë të stisur etj.
Prandaj, Gazeta Express, Zona Express, Leonard Kerquki, i përgjigjet me dëshirë padisë së Selimit, duke shpresuar që drejtësia është e pavarur dhe e pafrikësuar prej Selimit, siç shumë herë kanë qenë organet e rendit.
Sepse Selimi, para kamerave, para miliona qytetarëve, nuk kanë hezituar ta dëshmojë se nuk i përgjigjet ligjit, ose që ligji është tmerrësisht i frikësuar nga ai, siç është nga Thaçi, Veseli, Lushtaku, Haradinaj etj.
Pamjet e policisë duke arrestuar, duke shtyrë, protestuesit, e duke e harruar vetëm Selimin, janë spektakulare. Rezistenca kërcënuese e Selimit para pjesëtarit të Policisë së Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, do të futet në histori se si një manual për talljen e shtetit, në formën më publike të mundshme, llajv (live) në të gjitha televizionet tona publike.
Prandaj, përballë Selimit në dyshojmë jashtëzakonisht shumë në pavarësinë e organeve gjyqësore. Dyshojmë shumë në gjykimin e tyre. Jo pse nuk dëshirojnë, por pse frikësohen, siç janë frikësuar policia në rrugë.
Mirëpo, ne nuk dyshojmë në gjykimin e qytetarëve. Në atë proces gjyqësor do të dalë e vërteta faktike.
Ose, me fjalët e Glauk Konjufcës, po në Kuvendin e Kosovës për komandantët:
Ju keni qenë dy vjet komandantë, e 15 vjet biznesmenë.
Së këndejmi z. Selimi: Shihemi së shpejti në gjyqin e shtetit, por edhe në gjyqin e popullit.
Në këto dy instanca do të provojmë të marrim përgjigje prej teje, për këto çështje:
1. Si e bleve shtëpinë prej 200 mijë markave, në qendër të Prishtinës, menjëherë pasi u ktheve nga lufta?
2. Çfarë kishin të veçantë kompanitë e lidhura me ty, të marrin 22 tenderë, në vlerë prej 30 milionë euro, nga ministria e udhëhequr nga miku yt Fatmir Limaj?
3. Me çfarë kritere i jepeshin tenderë bashkëshortes suaj nga Qeveria e Kosovës?
4. Gjithashtu, si arriti familja e juaj, vëllai i juaj Ilazi, ta blinte fabrikën gjigante të Silosit në Klinë, duke u hequr nga gara të gjithë ata blerës potencialë?
5. Si arriti të depërtonte vëllai juaj, tash Islami, të kishte nën menaxhim dhjetëra lokale te ngrohtorja e Prishtinës?
6. Çfarë ndikimi kishe ti që të bliheshin dhjetëra hektarë tokë, me një çmim qesharak, në Malishgan?