1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Gazeta austriake: Perëndimi po ia mban anën Serbisë, çmimin detyrohen ta paguajnë fqinjët

Gazeta austriake “Der Standard” kritikon ashpër qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë dhe presionin e pandershëm ndaj Kosovës për të prishur Kushtetutën e saj. Në Ballkan njerëzit po ndihen të mashtruar dhe të tradhtuar nga Perëndimi, po mbretëron frikë dhe zhgënjim. Ndërhyrja hegjemoniste e Serbisë ndikon që demokratët (edhe në Serbi) të dobësohen, shteti ligjor dhe të drejtat civile të goditen dhe nacionalizmi radikal të bëhet sërish ideologji mbizotëruese.

Për të përditshmen liberale nga Vjena shumëçka flet se pas sulmit të bandës serbe në veri të Kosovës qëndrojnë politika dhe qarqet e shërbimeve sekrete në Beograd. Për Vuçiqin dështimi i operacionit është një shuplakë e rëndë, ngase kësisoj dalin në sipërfaqe punët e pista të shokëve të tij në Kosovë, nga ana tjetër Vuçiqi pas ngjarjeve të fundit gjendet në defansivë në të ashtuquajturin dialog me Kosovën. Pas sulmit Perëndimi nuk mund të argumentojë se qenkësh mirë të sakrifikohet integriteti i shtetit të Kosovës në favor të interesave gjeopolitike, siç ka ndodhur muajve të fundit.

“Der Standard” thekson se administrata e tanishme amerikane, e sidomos i ngarkuari për Ballkan Gabriel Escobar dhe ambasadori i SHBA-ve në Beograd Christopher Hill janë bërë bashkë me emisarin e BE-së Mirosllav Lajçak dhe njëanshëm po ushtrojnë presion kundër Kosovës për të themeluar një asociacion të komunave serbe në veri të Kosovës sipas përfytyrimeve të Beogradit. Një asociacion i tillë do të mund të groposte sovranitetin e shtetit të Kosovës të cilin e garanton kushtetuta.

Gazeta kritikon se përballë luftës ruse kundër Ukrainës Perëndimi ka vetëm një qëllim: ta mbajë Serbinë nën kontroll dhe kësisoj Serbia lejtohet që në stilin e saj hegjemonist të përzihet në vende të tjera. Thënë qartë: shtetet më të vogla si Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova duhet të paguajnë çmimin që Vuçiqi të mos i hidhet tërësisht në përqafim presidentit rus Vlladimir Putin.

Në Ballkan njerëzit po ndihen të mashtruar dhe të tradhtuar nga Perëndimi, mbretëron frikë dhe zhgënjim. Ndërhyrja hegjemoniste e Serbisë ndikon që demokratët (edhe në Serbi) të dobësohen, shteti ligjor dhe të drejtat civile të goditen dhe nacionalizmi radikal të bëhet sërish ideologji mbizotëruese. “Der Standard” supozon se Perëndimi ka hequr dorë nga projekti i tij për demokratizimin e rajonit, sepse më shumë pëlqehet të përkrahen autokratët. Përkundër sulmit kundër policisë së Kosovës ende nuk janë vënë sanksione të BE-së kundër Serbisë, sepse Hungaria mbështet mikun e saj Vuçiq. Gazeta austriake dyshon se Perëndimi do të ndryshojë kursin përkundër propagandës së tmerrshme serbe, duke filluar nga gazetat serbe që përdorin gjuhë raciste ndaj shqiptarëve deri te ministri i Jashtëm Ivica Daçiq, i cili hapur gënjeu se në incizimet e prezantuara nga qeveria e Kosovës shihej borë, rrjedhimisht, sipas tij, nuk bëhej fjalë për xhirime autentike. Duket se në krejt këtë situatë është i përzier edhe Kremlini, shkruan “Der Standard”. Ashtu si në rastin e pushtimit të Ukrainës nga armata ruse edhe sulmi serb kundër integritetit të Kosovës ishte paralajmëruar. Gjatë verës u shfaqën grafite në Serbi me këtë përmbajtje: “Kur ushtria do të kthehet në Kosovë”, krimet e luftës glorifikohen publikisht dhe Vuçiqi u përpoq ta diskreditojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti duke e quajtur “fundërrinë terroriste” dhe pretendoi se Kurti po synon t’i dëbojë serbët nga Kosova. Kjo, sipas gazetës austriake, të kujton retorikën e viteve 90-të, kur Vuçiq mes tjerash ishte ministër i propagandës nën Sllobodan Millosheviqin. Atëbotë popullsisë në Serbi i mbushej mendja se po përgatitej një gjenocid kundër saj – në fakt racistët serbë kryen gjenocid ndaj boshnjakëve. Kjo propagandë me gjasë ka për synim të “legjitimojë” vendimet e ardhshme. Vuçiqi disa herë është kërcënuar se do të dërgojë forcat serbe të sigurisë në Kosovë.

Sipas “Der Standard” thekson se një tezë është se me operacionin sekret në veri të Kosovës Vuçiq dëshironte të nxit konflikt në veri të Kosovës për të krijuar një shkas për ndërhyrje të ushtrisë serbe “për mbrojtjen e popullit serb” në veri të Kosovës dhe kështu të arrijë edhe ndarjen e Kosovës. Përkundër lobimit të kushtueshëm mbi “shkëmbimin” e territoreve gjatë administratës së Trumpit, Vuçiq nuk ia doli ta arrijë këtë cak me negociata, andaj tani me gjasë po provon shtigje të tjera.

Shumë njerëz në Ballkan kanë frikë që Perëndimi nuk është i gatshëm t’i japë fund provokimeve të vazhdueshme të grupeve si paramilitarët serbë në Kosovë. Shumë e kanë humbur jetën dhe të ardhmen në vitet 90-të, kur Perëndimi i mbylli sytë dhe përkundër fjalimeve të bukura toleroi spastrimet etnike dhe shkatërrimin e shteteve si Bosnjë-Hercegovina, thekson “Der Standard” duke përfunduar me këtë konstatim: “Mund të mendojmë se është mësuar nga kjo histori. Por me sa duket ndaj Ballkanit shikohet me qasje injorante gjysmë kolonialiste, gjysmë arrogante thua se nuk bëhet fjalë për një pjesë të Europës”. /Koha.net

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img