-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Gashi: Për presidentin, LDK ka marrë vendim politik, çështja e deputetëve është individuale

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka mbledhur nënshkrimet për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, konfirmojnë zyrtarët e kësaj partie, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë kësaj jave mori vendimin që të mos bëjë obstruksione në procesin e zgjedhjes së presidenti të vendit.

Prania e deputetëve të LDK-së në seancën e Kuvendit të Kosovës, kur do të votohet për zgjedhjen e presidentit, është e domosdoshme për mundësimin e kuorumit në këtë proces.

Kusari-Lila: Mbetet të konfirmohet prezenca e deputetëve në proces

Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se LVV-ja është duke punuar që sa më parë të mblidhen nënshkrimet për seancën, siç e ka quajtur ajo “të suksesshme, e cila do ta nxjerrë presidenten e ardhshëm të Republikës së Kosovës”.

Sipas saj, Vjosa Osmani, e cila është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e presidentit të vendit, i ka votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidente në raundin e tretë të votimit.

“Por, çfarë duhet të sigurohemi është që do të ketë 80 deputetë, të cilët do të votojnë edhe në dy raundet e para, pa marrë parasysh preferencën e tyre në këtë rast, për faktin që është i domosdoshëm si proces, që është vendosur nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Tani, ne mund të konfirmojmë për votat, të cila janë. Ato janë votat e shumicës për zgjedhje, në herën e tretë. Megjithatë, mbetet të konfirmohet vullneti dhe prezenca e deputetëve për pjesëmarrje në procesin e votimit edhe për dy raundet e para dhe të tretin, kur mund të dalë fituese zonja Osmani, si presidente e Republikës”, tha Kusari-Lila.

Gashi: LDK ka vendim politik, mendimi i deputetëve është çështje individuale

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë kësaj jave ka bërë të ditur qëndrimin politik se deputetët e saj do të qëndrojnë në sallë gjatë seancës së kuvendit për zgjedhjen e presidentit si dhe do të votojnë. Këtë e ka rikonfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Megjithatë, sipas tij, ky është vetëm qëndrimi politik i partisë së tij.

“Politikisht, ne kemi marrë qëndrim që të marrim pjesë në seancë dhe të marrim pjesë në votim. Pastaj, se a do të ketë ndonjë deputetë që ka mendim ndryshe, është çështje individuale. Por, vendimi politik i LDK-së është që ne të marrim pjesë në proces”, ka theksuar Gashi.

Përveç, qëndrimit zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tash për tash, ende nuk dihet nëse të gjithë deputetët e kësaj partie, që janë 15 në kuvend, do të marrin pjesë në procesin e votimit.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të bisedojë me deputetët e LDK-së, Agim Veliun dhe Driton Selmanajn, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Në anën tjetër, përveç takimeve zyrtare që ka pasur më herët kryeministri Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me zyrtarët e partive politike opozitare, siç thotë Mimoza Kusari-Lila, nuk ka pasur takime të tjera, për të biseduar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Megjithatë, përderisa nuk sigurohet numri i domosdoshëm i deputetëve të pranishëm në seancë, që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë i suksesshëm, siç thotë Kusari-Lila, nuk do të ketë seancë për këtë qëllim fare.

“Derisa ta kemi të plotë numrin, nuk do të hyjmë në proces të tillë, derisa ta dimë saktë se do të jenë këto vota ose në të kundërtën, mund të hyjmë në proces pa pasur konfirmime finale. Pastaj, se cila është alternativa, në rast të mospasjes sukses të procesit të zgjedhjes së presidentes, është shkuarja në zgjedhje, të cilat në rrethanat aktuale, nuk shihen si ajo çfarë do të jetë e dobishme për qytetarët apo edhe për partitë politike në Kosovë”, u shpreh Kusari-Lila.

Rruga e Osmanit drejt kandidimit për presidente

Kandidate për postin e presidentes është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë me listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Vjosa Osmani më herët ka qenë nënkryetare e LDK-së dhe kandidate e kësaj partie për kryeministre në zgjedhjet e vitit 2019. Por, në qershorin e vitit të kaluar, LDK-ja e shkarkoi nga të gjitha funksionet partiake, pasi Osmani ishte shprehur kundër disa vendimeve të partisë, përfshirë edhe prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje dhe formimin e qeverisë së re, që u udhëhoq nga Avdullah Hoti.

Më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë tashmë ka qëndrimin e saj se nuk do ta votojë Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç nuk e ka votuar as Qeverinë Kurti 2. Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk do ta mbështesë Osmanin për postin e presidentit.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit./REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img