Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka deklaruar se kryeministri në detyrë Albin Kurti, pas shkresës së presidentit Hashim Thaçi, ka dy zgjidhje për të dalë nga kriza aktuale, pas rënies së qeverisë me mocionin e mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai tha se kryeministri në detyrë duhet ta dërgojë emrin e mandatarit siç e ka kërkuar presidenti Thaçi, ose ta refuzojë, në mënyrë që të hapet rruga për formimin e një qeverie tjetër.
“Nga një Qeveri në detyrë është shndërruar në një Qeveri në uzurpim. Kryeministri e ka një letër prej presidentit ku i kërkon që të marrë përsipër formimin e Qeverisë dhe ai duhet të përgjigjet ose e merr ose e refuzon që ta merr, në mënyrë që të hapet rruga dhe pastaj një qeveri e re cilado qoftë ajo, mund të jetë vetë prapë qeveri e VV-së, mund të jetë qeveri e VV me partnerët e tjerë, qeveri gjithëpërfshirëse. Nuk mund të paragjykoj çfarë qeverie do të jetë, por një qeveri e re që mund të vijë mund të merr vendime të reja. Këto janë çështje që do të ndikojnë në ekonominë e Kosovës për disa vite, nuk flitet vetëm për pak ditë. Kjo do të rrisë borxhin publik dhe do t’i fusë edhe gjeneratat e reja në borxh”, tha Gashi.
Gashi tha se problemi kryesor i Kosovës është që Qeveria në detyrë sipas tij, me vetëdije vazhdon ta shkelë Kushtetutën.
“Ne e kemi një problem politik, e kemi një qeveri në dorëheqje që ka për detyrë të ushtrojë disa autorizime funksionale. Ajo qeveri vazhdon me vetëdije ta shkelë Kushtetutën, vazhdon me vetëdije ta përmbysë sistemin e rendit juridik në vend dhe ne nuk po merremi me këtë problem. Problemi kryesor që ka kjo shoqëri sot ka ndodhur një përmbysje e rendit juridik dhe kushtetues dhe duhet të ulemi bashkërisht të shohim se cilat janë veprimet ekonomike. Nëse aq shumë është duke i dhimbur zemra kryeministrit në detyrë se çka është duke ndodhur, pse nuk e merr përgjegjësinë”, tha ai.