Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në një konferencë për media sot ka thënë se në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, në sesionin vjeshtor do të kërkojnë hetim parlamentar opër rezervën shtetërore.
Gashi tha se kjo do të bëhet me qëllim që të dihet se si është menaxhuar dhe nga kush rezerva shtetërore.
Sipas tij e vërteta është zgjidhja e duhur në këtë rast.
“Po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën, dështimi po e mbulon dështimin dhe shkelja kushtetuese po e mbulon atë paraprake, dhe kur shkelja e ligjit po e mbulon shkeljen paraprake dhe çdo gjë përcillet me afera. Qytetarët kanë nevojë që të dinë të vërtetat. E vërteta është zgjidhja e duhur dhe pikënisja për gjithçka”, tha Gashi.
Më tutje, deputeti i LDK-së deklaroi se për rezervën shtetërore dhe keqpërdorimet e mundshme duhet hetime serioze.
“Keqpërdorimet dhe abuzimet me rezervat shtetërore, pikërisht me produktet esenciale kërkojnë qasje hetimore serioze dhe përmbajtjesore, prandaj në emër të GP të LDK-së, në mbledhjen e parë të sesionit të vjeshtës do të kërkojë që të formohet një Komision Hetimor për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore”, tha më tutje ai.
Lidhur me këtë çështje, Gashi tha se duhet që të ketë edhe hetime penale nga Prokuroria e Shtetit.
“Përveç hetimeve penale që duhet t’i bëjë Prokuroria e Shtetit, ne mendojmë që duhet të ketë edhe hetim parlamentar për të parë nga afër sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për rezervat shtratore”, tha ndër të tjera ai.
Gashi tutje listoi edhe disa pyetje për të cilat sipas tij Qeveria duhet të jap patjetër përgjigje.