Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ndodhet në vizitë zyrtare në Tarragonë të Spanjës, ku ekipi Olimpik i Kosovës po merr pjesë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.
Gashi është takuar me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me presidentin, Besim Hasani, si dhe kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, të cilëve iu uroi suksese të mëtutjeshme në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.
Gashi është duke përkrahur sportistët, derisa të enjten po i ndjek nga afër garat e xhudistëve tanë, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu, të cilët po kërkojnë të ndjekin rrugën e Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqi. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan të mërkurën medaljet e arta, të parat për Kosovën nga Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.
Ministri do të jetë i pranishëm edhe në garat e sportistëve tjerë, të cilët po ashtu po e promovojnë shtetin e Kosovës, në vendin që nuk e njeh Pavarësinë e vendit tonë.
Përndryshe Gashi, është ministri i parë që zyrtarisht ka udhëtuar në shtetin Spanjës për të ndjekur garat mesdhetare të cilat po zhvillohen atje. Kosova po merr pjesë në Tarragona 2018 me 40 sportistë, 13 trajnerë dhe katër gjyqtarë.