Neni 7 i Propozim-Planit evropian për normalizim të marrëdhënieve ku komunitetit serb të Kosovës parashihet t’u jepet një “nivel i duhur i vetëmenaxhimit” ka qenë brum për debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës, për të cilën Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se shkon përtej Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të vitit 2013.
“Me nenin 7 t’i ke dhënë nivel të tretë të qeverisjes. Problemi nuk është të Asociacioni por te Neni 7 ku e ke çelur derën e problemeve për të pakëtn 10 vitet e ardhshme të Kosovës”, tha Gashi.
Gashi u shpreh i çuditur se si “vetëmenaxhimi” është pranuar nga Kurti dhe nuk është trajtuar në prizmin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Madje ai i kërkoi edhe shkarkim dhe ndjekje penale të këshilltarëve të tij nëse e kanë këshilluar gabimisht.
“Ose të kanë qitë në lajthitje, ose je t’u e qitë në lajthitje Kuvendin e Kosovës. Nëse këshilltarët të kanë qitë në lajthitje, shkarkoji dhe ndjeki penalisht, sepse të kanë shti drejt një momenti që ata kanë realizu tradhti kombëtare. Nuk po të them që e ke bë ti. Po mundohem me qenë konstruktiv dhe ndihmues”.
“Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, Trakti 122 e 15 tetorit të vitit 1985 i parasheh këto instrumente, dhe shihe nenin 12 se në momentin kur i dërgon instrumentet e anëtarësimit se çfarë përgjegjësish do të marrësh. E ke çelë derën me Nenin 7 për vetëmenaxhim”, tha Arben Gashi.
Gashi ia drejtoi një seri pyetjesh saktësisht për Nenin 7 të Marrëveshjes.
“Çka është vetëmenaxhimi, kjo nuk është e definuar askund, çka është kanali special për serbët e Kosovës me qeverinë e Kosovës, çka është ky kanal? Ku depërton ajo? Çka është status special për Kishën Serbe në Kosovë?”.
“Krejt ‘Jo’-të e tij u bënë ‘Po’. Për më keq u bënë ‘Po’ edhe çështje të panjohura për ne dhe publikun. U tejkalua çdo gjë. Nuk di sa do të munden që Kosova t’i përballojë këto lëshime të Kurtit. Kurti ia humbi Kosovën një dekadë”, tha mes tjerash ai.
Për këtë, Gashi tha se më Asociacioni nuk është lajm. “Tash po del saktë se me Asociacioni nuk ka çfarë të bëjë sepse kompromisi është kryer, problemi është tash te Marrëveshja. Aty problemi lind se për çka është marrë vesh Kurti”, tha mes tjerash ai