Avokati i ambasadorit Martin Berishaj, Tomë Gashi në emisionin Frontal në T7, ka insistuar sërish se s’ka bazë për ta akuzuar klientin e tij. Sipas tij marrja në pyetje nga Prokuroria për Martinajn më shumë zgjati shkaku i teknikaliteteve, se sa në pyetje në lidhje me çështjen.
“Martin Berishaj është i dyshuar për tri vepra penale, nëse shiqohen ato pa ndonjë ndikim politik, nuk ka me pas kurrfarë arsye për me u akuzu. Martin Berishaj ka kërku vetë me shkrim që të shkoj në Prokurori që të jap sqarime. Nuk është me rëndësi sa ka zgjat intervistimi, ai ka zgjat disa orë, disa orë i kemi humb derisa janë rregullu proces verbalet”, është shprehur ai.
Dy orë sipas Gashit u mor në pyetje Berishaj, duke shtuar se ambasadori nuk e ka asnjë borxh, por se tatimet i ka paguar.
“Nëse e marrim në mënyrë efektive, intervistimi ka zgjat dy orë e gjysmë, marrja në pyetje ndaj tij ka filluar rreth orës 10:00, jo ashtu siç është thënë prej orës 08:00. Dokumenti që i është dhënë prokurores së rastit i përket ATK-së në Kroaci, që klienti im nuk e ka asnjë borxh, pra të gjitha tatimet i ka paguar”, ka deklaruar ai.