Site icon PrishtinaPress

Gashi i PDK-së për votat e ardhura nga diaspora: Kur përpjekjet kriminale përmbysin vullnetin elektoral në Dragash

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi ka kërkuar të hetohen votat të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, për shkak të dyshimeve se në ato vota mund të ketë pasur manipulime.

Gashi ka thënë se një dorë i ka plotësuar shumicën e zarfeve dhe i njëjti printer ka prodhuar shumicën e fletëvotimeve.

Tutje, Gashi ju ka bërë thirrje qytetarëve të Dragashit të njoftojnë familjarët e tyre në diasporë të cilëve u është manipuluar e drejta e tyre dhe të tjerët kanë votuar në emër të tyre që mos të bien pre e thirrjeve që i detyron të deklarohen rrejshëm.

Postimi i plotë:

Kur përpjekjet kriminale përmbysin vullnetin elektoral!
Të dashur qytetarë,
Procesi i votimit të diasporës është i pa mbrojtur, si i tillë vërehet edhe gjatë numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve!
Pra, një dorë i ka plotësuar shumicën e zarfeve dhe i njëjti printer ka prodhuar shumicën e fletëvotimeve!
I njëjti shkrim dhe i njëjti format!
I mbetet Prokurorisë të hetojë dhe ti ndjekë penalisht abuzuesit.
Nuk e besoj dhe s’kisha dashur të besojë se LDK në Prishtinë ka qenë pjesë e kësaj maskarade që pamë!
E pabesueshme, sepse, vetë LDK kishte bërë ankesë në raundin e parë pikërisht për votat me postë të Dragashit, duke qenë e bindur se votat e Dragashit nga diaspora kanë qenë të manipuluara.
Por, fatkeqësisht, kur e shohin rezultatin që e kishte joshur, shkon dhe e tërheq ankesën nga PZAP!
I bëj thirrje qytetarëve të Dragashit të njoftojnë familjarët e tyre në diasporë të cilëve u është manipuluar e drejta e tyre dhe të tjerët kanë votuar në emër të tyre që mos të bien pre e thirrjeve që i detyron të deklarohen rrejshëm.
Pres që Prokuroria e Kosovës të hetojë duke bashkëpunuar edhe me prokuroritë e shteteve ku jetojnë nëse ata kanë aplikuar dhe votuar vetë. Kjo është lehtësisht e provueshme!
Prandaj, mos rrezikoni për ata që me manipulime duan të marrin pushtet, ndërsa ju do të përballeni me prokuror e gjykata.
Një agjension turistik nuk mund të jetë më i madh se vullneti i lirë i votuesve të Dragashit.

Exit mobile version