Site icon PrishtinaPress

Gara për kryetar të Drenasit përcillet me akuza dhe kundërakuza

Është ashpërsuar tej mase fjalori i kandidatëve për kryetar të Drenasit dhe i përkrahësve të tyre, të cilët kanë intensifikuar fushatën nëpër fshatrat e komunës së Drenasit. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, deputetë dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së, duke përfshirë edhe deputetin Shaip Muja, i cili është kthyer në PDK, gati për çdo natë shkojnë odë me odë në fshatra të Drenasit në përkrahje të Ramiz Lladrovcit.
Ata kanë qenë edhe në Tërstenik, në fshatin e kandidatit tjetër të PDK-së, Naim Bazaj, por që ka kandiduar si i pavarur për të kërkuar vota për Lladrovcin, i cili dje është tërhequr nga gara për kryetar, shkruan “Zëri”.
Në një nga këto takime deputeti i PDK-së, Shaip Muja, e ka quajtur gjithashtu kandidatin e PDK-së, por që garon si i pavarur, Xhavit Drenorin kryetar të “sallatave”.
Por Drenori ia ka kthyer menjëherë Mujës, duke i dërguar “selamin” se po qe se bëhet kryetar i Drenasit një hotel që ka ndërtuar në tokën komunale në Drenas do ta dërgojë në gjykatë. Në “selamin” e tij, që Drenori ia ka dërguar Mujës, ka thënë se atij dhe të gjithë atyre që kanë për mision ruajtjen e bizneseve të pista “pushka top iu bëftë”.
“Doki, unë si kryetar i ‘sallatave’, siç po më quan ti nëpër oda të Drenasit, me kismet nga pozicioni i kryetarit këtë objektin që ke ndërtuar në tokë të Komunës, në janar të vitit 2017 do ta përcjelli në gjykatë, sado që më kishe bërë presion të madh që mos të merrem me të. Ty, doktor Shaip Muja edhe shokëve tu, që keni për mision ruajtjen e bizneseve të pista në prona komunale në Drenas, nën logo të PDK-së ‘pushka top ju baftë’ se nuk keni mundur dhe nuk do të mund të më ndalni kurrë në luftën time të pakompromis të lirimit të pronës komunale nga individë, përfitues të partisë”, është përgjigjur Drenori.

Exit mobile version