Edhe pse zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtë, partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet për zgjedhje, përfshirë këtu edhe emrat e mundshëm për kandidatë në zgjedhje.
Pas Prishtinës, e Prizrenit, Peja pos që është ndër komunat më të mëdha në Kosovë, është shumë e rëndësishme për LDK-në e Isa Mustafës dhe për AAK-në e Ramush Haradinajt, që kanë rivalitet të madh në këtë komunë.
LDK-ja e Isa Mustafës pas humbjes së Prishtinës, i mbetet Peja si komuna më e madhe që momentalisht udhëheq me të, derisa AAK-ja pas humbjes së kësaj komune dhe atë të Gjakovës, pretendon rikthimin në qytetin më verior të Dukagjinit.
Gazeta Blic nga burime të saja ka marrë vesh se LDK tashmë është përcaktuar për kryetarin aktual, Gazmend Muhaxherin.
Por, zyrtarisht vetë Muhaxheri ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të rikandidoj.
Ai ka thënë se do të mblidhen strukturat e partisë në këtë degë, dhe do të vendosin për emrin e kandidatit.
“ Në muajn mars kemi me i mbajt mbledhjet dhe aty do të percaktohet se kush do të kandidojë per kryetar të Pejës”, ka thënë shkurt për Gazetën Blic, Gazmend Muhaxheri.
Ndërkaq, nga AAK, që konsiderohen si shumë serioz për ta rikthyer këtë komunë, zyrtarisht thonë se ende nuk kanë caktuar kandidatin e mundshëm.
“Nuk e kemi zyrtarizuar ende asnjë kandidat”, i ka thënë Gazetës Blic shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj.
Burime të Gazetës Blic bëjnë të ditur se sipas të gjitha gjasave AAK në zgjedhjet lokale do të garoj me kreun e degës së kësaj partie në Pejë, Fatmir Gashin.
Ky burim, nuk e ka përjashtuar mundësinë që kandidat të jetë edhe ish- kreu i kësaj komune Ali Berisha.
“Megjithatë, gjasat më të mëdha i ka Fatmir Gashi”, tha ky burim.
Ndërkaq, sipas burimeve të Gazetës Blic, PDK ende ka dilema të mëdha se kënd do ta kandidoj për kryetar të kësaj komune.
“Kryetari Veseli bashkë me Xhavit Halitin do të vendosin për kandidatin për kryetar të kësaj komune. Deri tash nuk e kanë ndonjë kandidat serioz”, tha ky burim.
Zyrtarisht, i kontaktuar nga Gazeta Blic Xhavit Haliti ka thënë ende nuk e kanë vendosur ndonjë emër se kush do të garojë.
Edhe deputeti i kësaj partie, Nait Hasani i kontaktuar nga Gazeta Blic tha se në asnjë mbledhje. “Në mbledhje të Kryesisë nuk kemi folur për emra, kështu që nuk di”.
Ngjashëm sikurse PDK edhe në Vetëvendosje ende nuk kanë ndonjë emër, që përfundimisht do ta garojnë në zgjedhjet lokale.
“Në Lëvizjen VETËVENDOSJE! çështja e kandidatëve për kryetar të komunave është e rregulluar në Statutin e organizatës. Në periudhën e caktuar, sipas afateve të përcaktuara, hapet gara në secilën komunë dhe secili mund ta dorëzojë kandidaturën. Ata që i plotësojnë kriterët i futën garës dhe anëtarësia jonë në komunën përkatëse voton për njërin nga kandidatët, ose voton për/kundër/abstenim nëse paraqet kandidaturën veç një kandidat. Ai i cili merr besimin e anëtarësisë sonë në komunën përkatëse, e përfaqëson Lëvizjen VETËVENDOSJE! në zgjedhjet lokale, si kandidat për kryetar komune. Kjo vlen edhe për komunën e Pejës. Si në çdo komunë tjetër, edhe në Pejë ka rritje të anëtarësisë dhe fuqizim të qendrës sonë atje. Deri më tani nuk është paraqitur dikush që ka shprehur gatishmërinë ta marrë këtë përgjegjësi, por sigurisht që është pak herët dhe kjo gjë do të bëhet në ditët në vijim”, tha për Gazetën Blic, zyrtari për ifnormim Shkodran Hoti.
Ndërkaq, sipas të gjitha gjasave Nisma për Kosovën do ta mbështes kandidatin e AAK-së në zgjedhjet lokale. Kështu të paktën thonë burime të afërta nga koalicioni i partive AAK- Nisma.
Ndryshe, zgjedhjet lokale pritet të mbahen në vjeshtë, më saktësisht në fillim të muajit nëntor.