Site icon PrishtinaPress

Galatasaray me dy oferta për Rashicën

Gjiganti turk, Galatasaray, është shumë i interesuar ta mbajë në skuadër anësorin kosovar, Milot Rashica, shkruan gazeta e njohur turke “Hurriyet”.

Sipas burimeve të kësaj gazete, turqit i kanë bërë dy oferta për lojtarin, kartoni i të cilit është nën pronësi të Norwichit në Angli. Oferta e parë është që gjatë verës ta transferojë në formë të përhershme për 7.5 milionë euro, ndërsa e dyta është që lojtari të rrijë te Galata edhe për një sezon në formë huazimi me opsionin e blerjes.

Raportohet se Norwichi do të presë fundin e sezonit për t’i dhënë përgjigje Galatës. Skuadra është duke ngecur për të mbetur në pozitat e plejofit në Championship dhe synon që edicionin e ardhshëm të kthehet në Premier League. Pra, gjithçka do të varet nga rezultati në fund të sezonit. Nëse klubi nuk arrin të kthehet në Premier League, Galata pritet t’i sigurojë shërbimet e anësorit nga Vushtrria për 7.5 milionë euro.

26-vjeçari u transferua në Angli nga Werder Bremeni më 2021 për 11 milionë euro.

“Hurriyet” ka raportuar po ashtu se Rashica është i vendosur të qëndrojë te Galatasarayi dhe këtë qëndrim do t’ia japë edhe menaxhmentit të Norwichit.

Këtë sezon në Superligën e Turqisë, në 20 paraqitje, Rashica ka realizuar katër gola e ka edhe katër asistime. Ai ka edhe dy gola në Kupën e Turqisë.

Exit mobile version