Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se koalicioni qeverisës është stabil dhe se nuk ka nevojë për kombinime të tjera në ekzekutiv. Ndërkohë që ditë më parë shefi i tij në parti, Isa Mustafa deklaroi ditë më parë se i kanë hequr vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, kryeministri theksoi se koalicioni qeverisës është duke funksionuar dhe se po kujdeset që të respektojë marrëveshjen në mes të partnerëve.
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Hoti tha se qeveria po merr vendime të rëndësishme.
“Koalicioni qeverisës është duke funksionuar, ju i patë edhe vendimet e rëndësishme që i morëm sot, qeveria është stabile, për aq kohë sa është qeveria stabile unë nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera. Jemi duke respektuar marrëveshjen e koalicionit, jam duke u kujdesur çdo ditë që të respektohet kjo marrëveshje”, tha Hoti derisa u përgjigj rreth përfshirjes së mundshme të PDK-së në qeveri.
Hoti foli edhe për takimin që ishte paraparë të mbahej sot në Bruksel me palën serbe, por që u anulua me arsyetimin e situatës me Covid-19.
Kryeministri përsëriti se tema e Asociacionit të Komunave Serbe nuk do të hapet më.
“Asociacioni nuk diskutohet, ka tema të tjera për të diskutuar, unë do të kujdesem që procesi i dialogut të shkojë përpara, nëse për ndonjë arsye nuk mund të shkojë përpara, atëherë do të jetë jo për arsye pse Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme por për shkak të Qeverisë së Serbisë, për shkak të shtetit të Serbisë që nuk është e gatshme të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare”, tha Hoti.
Ndër të tjera, Hoti u pyet edhe rreth idesë së përfolur që Liqeni i Ujmanit të marrë emrin Liqeni Trump, ku edhe njëherë ka përsëritur se Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin e mirë që të merret parasysh kërkesa e ambasadorit Grenell për këtë çështje, që sipas Hotit, kjo kërkesë është bërë edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në takimin në Prishtinë.