Advertisement
Pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Hoti tha se qeveria po merr vendime të rëndësishme.
“Koalicioni qeverisës është duke funksionuar, ju i patë edhe vendimet e rëndësishme që i morëm sot, qeveria është stabile, për aq kohë sa është qeveria stabile unë nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera. Jemi duke respektuar marrëveshjen e koalicionit, jam duke u kujdesur çdo ditë që të respektohet kjo marrëveshje”, tha Hoti derisa u përgjigj rreth përfshirjes së mundshme të PDK-së në qeveri.
Hoti foli edhe për takimin që ishte paraparë të mbahej sot në Bruksel me palën serbe, por që u anulua me arsyetimin e situatës me Covid-19.
Kryeministri përsëriti se tema e Asociacionit të Komunave Serbe nuk do të hapet më.
“Asociacioni nuk diskutohet, ka tema të tjera për të diskutuar, unë do të kujdesem që procesi i dialogut të shkojë përpara, nëse për ndonjë arsye nuk mund të shkojë përpara, atëherë do të jetë jo për arsye pse Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme por për shkak të Qeverisë së Serbisë, për shkak të shtetit të Serbisë që nuk është e gatshme të shkojë drejt marrëveshjes përfundimtare”, tha Hoti.
Ndër të tjera, Hoti u pyet edhe rreth idesë së përfolur që Liqeni i Ujmanit të marrë emrin Liqeni Trump, ku edhe njëherë ka përsëritur se Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin e mirë që të merret parasysh kërkesa e ambasadorit Grenell për këtë çështje, që sipas Hotit, kjo kërkesë është bërë edhe në Shtëpinë e Bardhë edhe në takimin në Prishtinë.
PostAdss