Site icon PrishtinaPress

Fushtica: Objektet e braktisura – rrezik serioz për sigurinë e banorëve

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e kryeqytetit sot në mëngjes pati një ndërhyrje urgjente në objektin e Shkollës së Parë Shqipe për të eliminuar rreziqet e mundshme për sigurinë e qytetareve.

Drejtori i Emergjencave të kryeqytetit, thotë se objektet e braktisura në qytet paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e banorëve.

“Mungesa e mirëmbajtjes dhe kujdesit në këto ndërtesa rrit mundësinë e aksidenteve, ndërhyrjeve të paautorizuara, dhe mund të bëhen strehë për aktivitete të paligjshme”, u shpreh ai.

Ai kërkoi ndërhyrje urgjente nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në objektet e trashëgimisë kulturore që paraqesin rrezik për sigurinë publike në kryeqytet, raporton Klankosova.tv.

“Ndërtesat e braktisura janë një problem në rritje në kryeqytet dhe përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë dhe shëndetin publik. Këto ndërtesa, të cilat shpesh janë të lëna pas dore, mund të shkaktojnë probleme të mëdha”.

“Ndërtesat e braktisura shpesh kanë struktura të dobëta dhe mund të përmbajnë materiale të rrezikshme, si copa xhami të thyer, pllaka të rëna, dhe shumë më tepër që mund të shkaktojnë aksidente”.

Fushtica thotë se ndërtesat e braktisura mund të jenë strehë për insekte, parazitë dhe përbërës të dëmshëm që ndihmojnë në përhapjen e sëmundjeve dhe ndotjen e ambientit.

Ai tha gjithashtu se ato shpesh përdoren për aktivitete të paligjshme dhe mund të ofrojnë strehë për individë të dyshimtë, duke rritur rrezikun për krime dhe shqetësime për banorët e zonës.

“Çfarë mund të bëni për të ndihmuar?

Raportoni: Nëse vini re ndonjë ndërtese të braktisur që paraqet rrezik, raportoni atë në autoritetet përkatëse ose në shërbimet e emergjencës.

Mbrojtja e Fëmijëve dhe Të Rinjve: Bisedoni me fëmijët dhe të rinjtë për rrezikun e eksplorimit të ndërtesave të braktisura dhe rëndësinë e qëndrimit të sigurt.

Ndihmoni në mbajtjen e qytetit tonë të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë ne! Bashkë mund të bëjmë një ndryshim të madh”.

Exit mobile version