Site icon PrishtinaPress

Fushë Kosovë: 38-vjeçari rrah vëllain e tij, tenton t’i sulmojë me skallper edhe familjarët tjerë

Konfliktet mes vëllezërve në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje me raste eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konflikt familjarë janë përfshirë edhe dy vëllezër nga Kosova Lindore, por që banojnë në komunën e Fushë Kosovës.

Sinjali mëson se një 38-vjeçar i cili dyshohet të ketë ardhur për vizitë te familjarët e tij në Fushë Kosovë, ka sulmuar fizikisht vëllain e tij më të madh, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.

Po ashtu ai dyshohet se ka tentuar që me një skallper të sulmojë edhe anëtarët tjerë të familjes, por i njëjti është arritur që të pengohet dhe është evituar rreziku i cili u kanosej viktimave.

Si pasojë e lëndimeve të marra, 51-vjeçari ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Exit mobile version