Na pëlqen të mendojmë që jemi krijesa racionale. Jemi të vëmendshëm ndaj asaj që bëjmë, vlerësojmë pro-të dhe kundrat, marrim çadrën kur mendojmë që mund të bjerë shi. Por si neuroshkencat, si shkencat sociale na thonë që jemi më shumë optimistë se sa realistë.
Përgjithësisht, presim që gjërat të shkojnë më mirë nga sa shkojnë. Zakonisht nënvlerësojmë mundësinë që të na ndodhë të divorcohemi, humbasim vendin e punës apo që kemi një tumor. Presim që bijtë tanë të jenë shumë të aftë, imagjinojmë të kemi më shumë sukses se bashkëmoshatarët tanë dhe mendojmë të jetojmë më gjatë.
Psikologët e quajnë “paragjykimi i optimizmit”: bindja që e ardhmja do të jetë shumë më e mirë se sa e shkuara dhe e tashmja. Ky fenomen haset në të gjithë shoqëritë dhe në të gjithë fazat ekonomike dhe sociale. Kur imagjinojnë çfarë do të bëjnë kur të rriten, fëmijët janë shumë optimistë, por dhe të rriturit nuk janë më pak. Nga një studim i 2005 ka dalë që njerëzit mbi 60 vjeç kanë po aq probabilitet sa dhe më të rinjtë për ta parë gotën gjysmë plot.
Ndoshta do të pritej që optimizmi të zbehej përpara një lumi me lajme për luftëra, papunësi, ciklone, e gjithë katastrofat e tjera që i kanosen jetës së njeriut. Praktikisht, në nivel kolektiv mund të bëhemi pesimistë: mbi drejtimin që po merr vendi ynë apo aftësinë e politikanëve për të përmirësuar arsimin dhe reduktuar kriminalitetin. Por optimizmi privat, ai që ka të bëjë me të ardhmen tonë personale është shumë rezistent. E demonstron një sondazh i kryer në 2007: edhe pse 70% e të intervistuarve mendonin që martesat zgjasnin më pak se në kohën e prindërve tanë, 76 % ishin optimistë për të ardhmen e familjes së vet.
Optimizmi i tepruar mund të na çojë të bëjmë gabime të mëdhenj, të mos i nënshtrohemi kontrolleve të rregullt mjekësorë, të mos përdorim krem për t’u mbrojtur nga dielli, të mos kursejmë apo madje të humbasim shtëpinë për shkak të një investimi të gabuar. Por ai paragjykim edhe na mbron, na bën të ecim përpara në vend që të hidhemi nga dritarja. Pa optimizmin, paraardhësit tanë nuk do të ishin larguar asnjëherë nga tributë e tyre dhe ndoshta do të jetonim ende në shpella duke ëndërruar dritën.
Që të përparojmë duhet të jemi në gjendje të imagjinojmë realitete të ndryshëm, më të mirë, dhe të besojmë që mundemi t’i ndërtojmë. Ky besim na bën të ndjekim objektivat tanë. Zakonisht, optimistët kanë prirjen të punojnë dhe fitojnë më shumë. Ekonomistët e Duke University kanë zbuluar se optimistët kursejnë madje më shumë. Dhe ndonëse kanë të njëjtin probabilitet për t’u divorcuar, është më e mundur që të rimartohen, një fakt që, siç thoshte Samuel Johnson, shënon triumfin e shpresës mbi eksperiencën. Edhe pse ajo e ardhme më e mirë është shpesh një iluzion, optimizmi paraqet avantazhe të qartë për të tashmen. Shpresa mban gjallë inteligjencën, redukton stresin dhe përmirëson shëndetin fizik.
Nga një studim mbi sëmundjet kardiake është zbuluar se personat optimistë kanë më shumë shanse për të ndjekur një dietë me përmbajtje të lartë vitaminash dhe përmbajtje të ulët yndyrnash si dhe për të bërë ushtrime fizikë, duke arritur kështu të reduktojnë riskun. Ndërkohë që një stduim mbi të sëmurët me kancer ka nxjerrë se pacientët pesimistë nën moshën 60 vjeç rrezikojnë më shumë që të vdesin brenda 8 muajsh se sa bashkëmoshatarët e tyre jopesimistë, dhe në të njëjtat kushte. Në fakt, studimet e fundit shkencorë tregojnë që optimizmi mund të jetë frut i evolucionit. Shkenca e optimizmit, dikur e shpërfillur dhe e konsideruar e pabesueshme intelektualisht, po hap një perspektivë të re mbi funksionimin e psikikës së nejriut. Dhe mund të sjellë një revolucion në fushën e psikologjisë, duke demonstruar që truri ynë nuk është i kushtëzuar vetëm nga e kaluara, por plazmohet në mënyrë të vazhdueshme edhe nga vizioni ynë mbi të ardhmen.
Do të më pëlqente të thoja që studimi im mbi optimizmin ka lindur nga një interes i thellë për anën pozitive të natyrës njerëzore, por e vërteta është se e kam zbuluar optimizmin e lindur në trurin tonë krejt rastësisht. Pas atentateve të 11 shtatorit në Nju Jork, kisha vendosur të bëja një studim mbi kujtimin që njerëzit kishin për atë ditë. më kish lënë mbresë një fakt: shumë prej tyre ishin të bindur që kujtimet e tyre ishin shumë të saktë, si një film i stampuar në mendjen e tyre, ndërkohë që shpesh ishin plot gabime. Një sondazh i kryer në të gjithë vendin ka treguar se pas 11 muajsh, kujtimi që njerëzit kishin për atë eksperiencë përkonte vetëm 63% me rrëfimet që kishin bërë menjëherë pas atentatit. Të intervistuarit kishin edhe vështirësi për të kujtuar detajet, për shembull emrin e kompanive ajrore. Prej nga buronin këta gabime?
Studiuesit e kujtesës propozuan një përgjigje mbresëlënëse: ndoshta kujtimet janë ndonjëherë të pasaktë pjesërisht sepse sistemi neuronal që shërben për të kujtuar episode të të kaluarës nuk ka evoluar pikërisht për atë qëllim. Madje, funksioni parësor i kujtesës mund të jetë pikërisht të imagjinojë të ardhmen, për të na përgatitur për atë që do të ndodhë. sipas shkencëtarëve, sistemi nuk ka lindur për të na sjellë në mënyrë të përsosur ngjarjet e të kaluarës, por për të ndërtuar në mendjen tonë skenarë për të ardhmen. Si pasojë, edhe kujtesa përfundon duke qenë një proces rindërtimi dhe ndonjëherë ndodh që fut disa detaje dhe eleminon të tjerë.
Për ta verifikuar, vendosa të rregjistroj veprimtarinë e mendjes së disa vullnetarëve ndërkohë që imagjinon ngjarje të ardhshme të jetës së tyre të përditshme si dhe të përballja gjetjet me skemat që kisha vërejtur kur po të njëjtët persona kujtonin ngjarje të së kaluarës. Por, ndodhi diçka e çuditshme. Kur vullnetarët nisën të imagjinojnë të ardhmen, edhe episodet më të zakonshëm të jetës së përditshme morën një drejtim optimist. skena që normalisht do të kishin qenë banale ndriçoheshin prej detajeve pozitivë, a thua gjithçka ishte shkruar nga ndonjë skenarist i zoti në Hollyëood. Mendoni se nuk ka asgjë ekzaltuese kur imagjinon të presësh flokët?
Lexoni pak si e imagjinoi atë moment një prej të intervistuarave: “Prisja flokët për t’ia dhuruar Locks of love (një shoqatë bamirëse që u ofron paruke të sëmurëve me kancer). I kisha rritur për vite të tërë dhe miqtë e mi ishin të gjithë aty për të festuar me mua. Shkuam tek parukieri im në Brooklyn dhe më pas për drekë në restorantin tonë të preferuar”.
Një tjetre i kërkova të imagjinonte një udhëtim me avion: “Imagjinova ngjitjen, momentin tim të preferuar, më pas gjumin tetëorësh gjatë fluturimit dhe në fund uljen si dhe duartrokitjet për pilotin”, mu përgjigj. Asnjë pritje në pistë, asnjë i sapolindur që grindej. bota ish bërë një vend i mrekullueshëm. Çfarë na thotë për trurin tonë fakti që, kur bëhej fjalë për të ardhmen e tyre personale, të gjithë të intervistuarit kishin prirjen të mendonin pozitivisht? Prirja drejt optimizmit varet nga mënyra si është strukturuar truri? Për të menduar pozitivisht për atë që do të na ndodhë duhet që pikësëpari të jemi në gjendje të imagjinojmë veten tonë në të ardhmen. Optimizmi nis nga ajo që është ndoshta aftësia më e jashtëzakonshme njerëzore: mundësia për të udhëtuar me mendje, për të shkuar përpara dhe pas në kohë dhe hapësirë.
Edhe pse shumë prej nesh e marrim të mirëqenë, kjo aftësi për të imagjinuar një hapësirë dhe një kohë të ndryshme është në të vërtetë thelbësore për mbijetesën tonë. Na lejon të programojmë, ruajmë ushqimin dhe burimet për momentet kur mund të mos i kemi si dhe të punojmë për një shpërblim në të ardhmen. Na lejon edhe të parashikojmë edhe se si ndikon në brezat e ardhshëm sjellja jonë sot. Nëse nuk do të ishim në gjendje të imagjinonim botën pas 100 vjetësh, a do të shqetësoheshim për ngrohjen globale? A do të sforcoheshim për të jetuar shëndetshëm? A do të kishim fëmijë?
Antidot për dëshpërimin
Nëse aftësia për të udhëtuar në kohë me mendje ka avantazhe për mbijetesën, aftësia për të parashikuar në mënyrë të vetëdijshme të ardhmen ka një çmim shumë të lartë, sepse nënkupton të vetëdijësohemi që një ditë do të vdesim. Ajit Varki, një biolog i Universitetit të Californias në San Diego, thotë se vetëdija për faktin që jemi të vdekshëm e ka çuar evolucionin në një rrugë qorre. Dëshpërimi ka interferuar me punët tona të përditshme duke mos na lejuar të çojmë përpara veprimtarinë e nevojshme për të mbijetuar. E vetmja mënyrë në të cilën kjo aftësi për të udhëtuar mendërisht në kohë mund të shfaqej gjatë evolucionit ishte ajo e një optimizmi joracional. Vetëdijësimi për vdekjen duhej shoqëruar me një tendencë për të imagjinuar një të ardhme të ndritur.
Aftësia për të imagjinuar të ardhmen lind pjesërisht në hipokampus, një zonë e trurit themelore për kujtesën. Personat që kanë pësuar dëmtime në hipokampus nuk munden të kujtojnë të kaluarën, por nuk arrijnë as të rindërtojnë imazhe të detajuar të së ardhmes. Duken të ndalur në kohë. ne të gjithë zhvendosemi vazhdimisht para dhe pas në kohë. Mund të kujtojmë një bisedë që kemi bërë dje me bashkëshorten dhe menjëherë më pas të vendosim se ku do të shkojmë për darkë sonte. Por truri nuk udhëton rastësisht në kohë. Ka prirjen të zhytet në disa mendime të caktuar. Mendojmë atë që do të bëjnë fëmijët tanë në jetë, apo si të sigurojmë punën që na pëlqen, si të blejmë një shtëpi në fshat apo të gjejmë një partner ideal.
Imagjinojmë që skuadra jonë të fitojë një ndeshje vendimtare, presim me ankth një mbrëmje të bukur në qytet apo fantazojmë sikur fitojmë në kaizon. Shqetësohemi edhe se mos humbasim njerëzit që duam, se mos bëjmë gabime në punë apo mos vdesim në një aksident të tmerrshëm ajror, por studimet tregojnë që pjesa më e madhe prej nesh kalon më pak kohë duke përtypur në mendje gjëra negative se sa ato pozitive. Kur imagjinojmë një humbje apo një infarkt, priremi të përqëndrohemi se si t’i shmangim.
Nga një studim që kam kryer disa vite më parë me neuroshkencëtaren Elisabeth Phelps, doli që prirja jonë për të menduar pozitivisht lind nga komunikimi prej korteksit ballor dhe rajoneve nënkortikalë më të thellë në trurin tonë. Korteksi ballor është pjesa e trurit që ka evoluar më së fundmi. Në qeniet njerëzore është më i madh se në sisorët e tjerë dhe është thelbësor për funksione të tillë si gjuha dhe aftësia për të vendosur objektiva.
Me anë të rezonancës magnetike rregjistruam veprimtarinë cerebrale të një grupi vullnetarësh ndërkohë që imagjinonin ngjarje specifike të së ardhmes që u përkisnin. Disa ishin ngjarje të dëshirueshme të tjera të padëshirueshme. Të gjithë thanë që imazhet e ngjarjeve pozitive ishin më të detajuara. Kjo gjë korrespondonte me veprimtarinë më të madhe që kishim vërejtur në dy rajone kritikë të trurit: amigdala, një strukturë e vogël që ndodhet në thellësi dhe që është themelore për elaborimin e emocioneve dhe rACC, një zonë e korteksit ballor që modulon emocionet dhe motivimet. rACC rregullon trafikun, fuke lehtësuar fluksin e emocioneve dhe asosacioneve pozitive.
Sa më optimist që ishte një person, aq më intensiv ishte aktiviteti në këta rajone ndërkohë që imagjinonte ngjarje të ardhme pozitive dhe aq më i madh ishte komunikimi mes dy strukturave.
Rezultate negative
Problemi i pritshmërive pesimiste, si ata të personave të depresuar klinikisht është se kanë fuqinë të ndryshojnë të ardhmen, pra të paravendosin rezultate negativë. në çfarë kuptimi pritshmëritë ndryshojnë realitetin? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, një kolegja ime, neuroshkencëtarja Sara Bengstsoon ideoi një eksperiment në të cilin manipulonte pritshmëritë pozitive e negative të një grupi studentësh para se t’i vinte në provë në detyra të llojit konjitiv dhe vëzhgonte trurin e tyre me rezonancën manjetike. Për të patur pritshmëri suksesi, u thoshte para testit studentëve se ishin inteligjentë dhe të zotë. Për të patur efekt të kundërt, u thoshte se ishin budallenj dhe injorantë. Zbuloi që studentët të cilëve u përcillte mesazh pozitiv ia hidhnin më mirë.
Doli edhe që truri i studentëve përgjigjej në mënyrë të ndryshme ndaj gabimeve që kryenin. Kur gabimi vinte pas frazave inkurajuese, kishte një aktivitet më të madh të trurit. Kur studentët kishin dëgjuar që ishin budallenj, pas një përgjigje të gabuar nuk rregjistrohej asnjë rritje aktiviteti. Dukej sikur truri i tyre e priste që do të dilnin keq dhe nuk shfaqte asnjë shenjë befasie kur gabonte. Një truri që nuk pret rezultate të mirë nuk i vjen sinjali: “Kujdes, përgjigje e gabuar!” Pra, nuk mëson nga gabimet e tij dhe zakonisht nuk përmirësohet me kalimin e kohës.
Pritshmëritë vetërealizohen duke ndryshuar performancën dhe sjelljen, dhe kjo në fund ndikon mbi atë që do të ndodhë në të ardhmen. Por shpesh pritshmëritë ndryshojnë thjeshtë mënyrën se si ne perceptojmë botën pa ndryshuar vetë realitetin. Marrim një shembull. Ndërkohë që po shkruaj, më telefonon një mik. Ndodhet në aeroportin e hethrou, në pritje të hipë në nëj avion për në Austri, ku do të shkojë për ski. Avioni është 3 orë me vonesë për shkak të një stuhie dëbore në destinacion. “Imagjinoj që është njëkohësisht gjë pozitive dhe negative”, më thotë. Të presësh në aeroport nuk është e pëlqyeshme, por nëse sot bie borë, nesër bëhet ski më mirë. Truri i tij punon për të pajtuar mërzinë e vonesës me dëshirën për një palë pushime të bukura.
Një udhëtim i anuluar nuk është tragjedi, por edhe kur na ndodh një gjë e tmerrshme që nuk e kemi pritur asnjëherë, kërkojmë automatikisht konfirmim të faktit që fatkeqësia jonë në realitet është një fat. Nuk e prisnim të humbisnim vendin e punës, të sëmureshim apo divorcoheshim, por kur ndodh, kërkojmë anën pozitive. Mendojmë se këto përvoja na bëjnë të rritemi. Ndoshta në të ardhmen do të gjejmë një të ardhme më të mirë apo një marrëdhënie më të qëndrueshme. Interpretimi i fatkeqësisë në këtë mënyrë na lejon të konkludojmë që pritshmëritë tona optimiste në fund të fundit kanë qenë të sakta, gjërat kanë shkuar për mirë.
Si mund të gjejmë anën pozitive të një fatkeqësie?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, unë dhe dy kolegë, Ray dolan dhe Tamara Shiner morëm disa vullnetarë dhe i nënshtruam në skanimin cerebral duke u kërkuar të imagjnojnë një seri problemesh shëndeti, që nga një frakturë e thjeshtë deri tek Alzheimer si dhe të vlerësonin sa të rëndë i konsideronin. Më pas i pyetëm se çfarë do të zgjidhnin nëse do mundeshin. të thyenin nëj këmbë apo nëj krah? Gastritin apo astmën? në fund duhej të bënin sërish nëj renditje të sëmundjeve. disa minuta pasi kishin zgjedhur një, vullnetarët zbulonin që ajo zgjedhje i frikësonte më pak. Për shembull, para se ti zgjidhnin mes të tjerave, konsideronin të tmerrshme një këmbë të thyer. Por pasi e kishin zgjedhur, gjenin një aspekt pozitiv dhe thoshin: “Po të më thyej njëra këmbë, do të qëndroja në shtrat dhe shihja TV pa u ndier në faj”. Nga studimi doli edhe që personat i perceptonin në mënyrë pozitive disa ngjarje negative nëse i kishin eksperimentuar tashmë.
Duket sikur truri ynë zotëron gurin filozofik që na lejon të transformojmë plumbin në flori dhe na lejon të ruajmë një nivel normal mirëqenieje. eshtë i programuar t’u japë vlerë maksimale gjërave që na ndodhin si dhe për të na dhënë besim në gjërat që vendosim. Kjo vlen jo vetëm kur detyrohemi të zgjedhim mes dy opsioneve negativë, por edhe kur na duhet të zgjedhim mes dy ofertave për punë që janë njësoj joshëse. Marrja e një vendimi mund të jetë e vështirë dhe e lodhshme, por pasi e marrim, ndodh një mrekulli.
Krejt papritur e gjykojmë ofertën që kemi zgjedhur më të mirë se sa e konsideronim para se ta zgjidhnim dhe arrijmë në përfundimin që në fund të fudnit, tjetrën nuk ishte kushedi çfarë. sipas sociopsikologut Leon Festinger, pasi kemi bërë një zgjedhje ne vlerësojmë sërish të gjithë opsionet për të reduktuar tensionin e krijuar nga vështirësia për të vendosur mes gjërave njësoj të dëshirueshme.
Në një tjetër studim të kryer në 2009 me Ryan Dolan dhe benedetto De martino, gjithnjë duke përdorur skanerin, u kërkuam disa vullnetarëve të imagjinonin se shkonin me pushime në 80 vende të ndryshëm si dhe të mendonin se sa të lumtur do të ishin në secilin prej tyre. Më pas u kërkuam të zgjidhnin një destinacion mes dyve që kishin vlerësuar njësoj. Paris apo Brazil? Në fund u kërkuam të vlerësojnë sërish të gjithë. Të pyeturit u jepnin më shumë vlerë zgjedhjeve që kishin bërë më herët.
Eshtë e vërtetë që ndonjëherë pendohemi apo mbetemi të zhgënjyer nga zgjedhjet që bëjmë. Por në tërësi, u japim më shumë vlerë dhe presim të na japin më shumë kënaqësi. Ky konfirmim i vendimeve tanë na ndihmon të marrim më shumë kënaqësi prej zgjedhjeve që në realitet mund të ishin neutrale. Pa këtë mekanizëm, jeta jonë do të qe e mbushur me pendesa. A kemi bërë gjënë e duhur? Mos duhet të ndryshojmë mendje? Do të mbeteshim të bllokuar, të mbytur prej pavendosmërisë dhe të paaftë për të ecur përpara. Po si është e mundur që njerëzit vazhdojnë të shohin gjithcka rozë edhe kur është kaq e lehtë të gjesh informacione dekurajues? Vetëm kohët e fundit kemi arritur ta zgjidhim këtë mister duke vëzhguar trurin e njerëzve ndërkohë që elaboron informacione pozitivë dhe negativë mbi të ardhmen. Dhe ajo që kemi zbuluar është befasuese: kur kuptojmë diçka, neuronet rregjistrojnë në mënyrë besnike informacionet që nxisin optimizmin por jo ata që sjellin pritshmëri të padëshirueshme. Kur dëgjojmë të flitet për një histori suksesi si ajo e Mark zuckerberg, truri ynë mban shënime mbi mundësitë që një ditë edhe ne të bëhemi shumë të pasur. Por nëse zbulojmë që shanset për divorc janë pothuajse 50%, nuk mendojmë që martesa jnë është e destinuar të dështojë.
Enigma
Përse truri është i programuar kështu? Hipoteza jonë është që optimizmi është përzgjedhur nga evolucioni pikërisht sepse, në përgjithësi pritshmëritë pozitive rrisin shanset për mbijetesë. Optimistët jetojnë më gjatë dhe janë më të shëndetshëm, pjesa më e madhe e qenieve njerëzore kanë prirjen të jenë optimistë dhe optimizmi është i lidhur me gjene të veçantë: gjithë këta kërkime duket se konfirmojnë teorinë tonë. Por optimizmi mund të prodhojë rezultate të padëshirueshëm. Në këtë pikë problemi është: si mund të vazhdojmë të shpresojmë, pra të jemi optimistë, e në të njëjtën kohë të mbrohemi nga kurthet e jetës? Jam i bindur që një nga zgjidhjet është vetëdija. Të kuptuarit e paragjykimeve tanë nuk është gjë e lindur. Iluzionet e trurit duhet të pikasen me metoda shkencore e më pas t’u bëhen të ditur të gjithëve. Pasi të kuptojmë që optimizmi është iluzion, do të dimë të mbrohemi.
Lajmi i mirë është që kjo vetëdije nuk i prish aspak iluzionet. Gota mbetet gjysmë plot dhe mund të gjejmë një ekuilibër të drejtë: pra të mendojmë që nuk do të sëmuremi, por njëkohësisht të paguajmë sigurimet shëndetësore, të jemi të sigurtë që dielli do të shndërrisë, por njëkohësisht të marrim çadrën para se të dalim. Asnjëherë nuk i dihet./Prishtinapress/