Site icon PrishtinaPress

FSK përmes ndryshimeve kushtetuese, i pamundshëm

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese po duket i pamundur për shkak të refuzimit të Listës Serbe.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se për momentin është e pamundur kjo gjë, pasi duhen dy të tretat e votave të Listës Serbe për t’u bërë ndryshimet kushtetuese.

“Baza kushtetuese, mandatimi përmes bazës kushtetuese si opsion është gati se i pamundshëm, sepse kërkon votën e 2/3 të kualifikuara, do të thotë të serbëve. Duke qenë kështu është vështirë të kalkulojmë se tani e kemi këtë votë. Në një moment të caktuar do të jemi të detyruar ta mandatojmë ushtrinë e Kosovës me ligj”, theksoi Haradinaj.

Kreu i Qeverisë, ka folur edhe për platformën për dialogun me Serbinë që e ka tërhequr nga Kuvendi.

Tha se ata që e kanë kritikuar platformën nuk e kanë pasur hallin të përmbajtja, por tek emri i njerëzve që do të jenë në ekipin e përbashkët.

“S’ka të bëjë me platformë, ka të bëjë me delegacion, kush i prinë, kush është në të, s’po i lexojnë bile letrat, fjalë janë këto se platforma e Qeverisë, e këtij apo atij, fjalë janë këto, krejt e kanë hallin kush është kush në delegacion dhe nuk është mirë të reduktohet agjenda e Kosovës kush ku jemi. Është mirë të kuptohet se janë momente shumë të rëndësishme strategjike vendit tonë, s’ka lidhje qysh e ka emrin ky apo ai. Por të jemi bashkë në tavolinë. Bindja ime është se duhet të ketë një ekipë politike ku janë institucionet e vendit, presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, kryetarët e partive politike parlamentare”, tha Haradinaj.

Megjithatë, Haradinaj shpreson që nuk do të bëhet pengesë emri i njërit prej tyre dhe të humbin si Kosovë.

Ndërsa, i pyetur nëse emërimi i Milan Radojçiqit si nënkryetar i Listës Serbe, do të ndihmojë në ndryshimin e qëndrimit, tha se ai e ka takuar atë, por nuk e dijë se si do të reflektojë, sepse vendimet i marrin ata vet.

“E vërtetë është që e kam takuar edhe kam biseduar me të për këto marrëdhëniet që kam krijuar me Listën Serbe. E vërtetë është që ai ka vendimmarrje, e kam treguar disa herë. S’di pse duhet ta fsheh Kosova një realitet të tillë, ose t’i ikë, njerëzit kur kanë guxim të takohen kanë guxim të tregojnë edhe kur takohen, se nuk bëjnë gjë të keqe. E dyta nuk e di për besë si do të reflektojë se këto nuk janë vendime që marr unë, janë vendime të tyre, të serbëve të veriut, të Listës, me siguri ata kanë strategji të ndihmuar nga Beogradi se si do të udhëheqin dinamikat ose interesat e caktuara”, tha Haradinaj.
Haradinaj ishte akuzuar se për koalicionin me Listën Serbe kishte marrë pëlqimin e Milan Radojçiq, i cili dyshohet se është njeriu që kontrollon veriun e Kosovës.

Exit mobile version