Zyra për Çështje të Komuniteteve në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), kryesuar nga drejtoresha Azemina Çullum, mbajti takim të pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komunitetit boshnjak me temën “Pozita dhe statusi i pjesëtarëve të komunitetit boshnjak në Forcën e Sigurisë së Kosovës’’.
Në takim morën pjesë deputeti, Qerim Bajrami, anëtar i Kuvendit të Kosovës, Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, zëvendës drejtori i ekipit këshillues të NATO-s për MFSK dhe FSK (NALT), zotëri Mark Theobald si dhe oficerë e zyrtarë të tjerë nga ministria për FSK dhe FSK-ja.
Me këtë rast, zëvendësministri Muhamet Latifi, theksoi se FSK është institucion i shteti të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj pa dallim nga përkatësia racore, gjinore, nacionale dhe fetare, duke shprehur admirimin për punën dhe përkushtimin e pjesëtarëve të FSK-së nga të gjitha komunitetet e në veçanti të komunitetit boshnjak i cili është i integruar mirë në FSK.
Nga ana e tij, drejtori i drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi u shpreh se FSK-ja është unike në strukturën e saj, në të cilën kontribuojnë pjesëtarë nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë.
Ndërsa, Çullum, bëri një elaborim të hollësishëm të për numrin, pozitën, përfshirjen, sukseset dhe sfidat e pjesëtarëve nga radhët e të gjitha komuniteteve me theks të veçantë tek pjesëtarët nga radhët e komunitetit boshnjak në FSK.
Deputeti Bajrami, u shpreh se shërbimi i pjesëtarëve nga komuniteti boshnjak në FSK është krenari për komunitetin boshnjak dhe gjithashtu do të jetë nderë e krenari edhe shërbimi në Ushtrinë e ardhshme të Kosovës dhe se komuniteti boshnjak duhet të angazhohet që të jep kontributin në zhvillimin dhe avancimin e institucioneve të vendit si dhe pjesëmarrjen dhe avancimin e pozitës së tyre.
Gjithashtu në këtë takim për përvojat dhe pozitën e tyre në FSK diskutuan edhe pjesëtarë të FSK-së nga radhët e komunitetit boshnjak si: toger Edin Januz, nëntoger Ilhan Zoraniq dhe ushtare Jasmina Shabanoviq.