1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Fsk-ja pensionon 172 pjesëtarë vetëm tre muajt e fundit

Forca e Sigurisë së Kosovës ka pensionuar hiç më pak se 172 pjesëtarë që dikur kishin shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e të cilët nuk kanë më shumë se 50 dhe 55 vjeç.

Pensionimin e këtyre pjesëtarëve të Forcës, e ka konfirmuar Ministria e kësaj force, e cila ka treguar edhe arsyet për pension të një numri kaq të lartë të pjesëtarëve, shkruan gazetametro.net

Metro ka mësuar se mosha e këtyre të pensionuarve nuk është e njëjtë, mirëpo zëdhënësi i MFSK’së, Ibrahim Shala, vlerëson se pensionimi ka ndodhur në përputhje me Ligjin për Pension të ish-pjesëtarit të TMK’së.

“Gjatë këtij tre (3) mujori te fundit, pra nga muaji Gusht e deri më tani, nga FSK janë pensionuar 172 pjesëtarë. Të gjithë këta të pensionuar kanë qenë ish pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Mosha mesatare e këtyre të pensionuarve është në harmoni me Ligjin për pensionet në FSK”, ka thënë Shala për Gazetën Metro.

Të pyetur se nëse këto pensionime kanë të bëjnë me procesin e shndërrimit të FSK’së në ushtri, Shala vlerëson se “mosha e rekrutimit  dhe pensionimit janë të parapara me ligj dhe rregullore mbi shërbim në FSK”.

Ndërkohë, Shala e ka pranuar se disa nga pjesëtarët aktivë të kësaj force po kanë probleme. Bëhet fjalë për pjesëtarët e FSK’së që vijnë nga komuniteti serb, e që muajt e fundit po përballen me një presion të madh nga Serbia.

Ndonëse kjo gjë u pushua nga presioni i para disa muajsh, Serbia ka nisur një fushatë të re në prag të krijimit të ushtrisë së Kosovës, duke kërcënuar e shantazhuar serbët e FSK’së që të mos bëhen pjesë e ushtrisë.

“Po ka forma të ndryshme presioni mbi pjesëtarët e FSK-së të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera. Rasti i fundit është vendosja e bombës në oborrin e një pjestari të FSK-së të komuniteti turk në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut”, ka shtuar Shala për Metron, duke konfirmuar një valë të re presioni.

E këto presione, siç thotë edhe zyrtari i FSK’së, kanë bërë që shumë pjesëtarë serbë të kësaj force të zgjedhin si rrugë braktisjen e saj, duke shënuar regres në përfshirjen e minoriteteve në ushtrinë multientike që synon ta krijojë Kosova. Deri tani, janë 71 kërkesa zyrtare për demobilizim, që nënkupton se kaq pjesëtarë janë detyruar të kërkojnë largimin nga FSK.

Sidoqoftë, shteti kosovar është zotuar që ushtrinë ta krijojë gjatë këtij viti, duke theksuar edhe multietnicitetin si vlerë të kësaj ushtrie. Kishte qenë presidenti Thaçi, që është edhe komandant suprem i Forcës, që kishte premtuar gjithëpërfshirje.

Shndërrimi i FSK’së në ushtri këtë vit, parasheh edhe rritjen e numrit të personave që do të shërbenin si ushtarë të Kosovës, e që ishte thënë se në shumicë do të ishin të rinj, siç edhe parasheh ligji për rekrutim.

Ndryshe, FSK’ja që po përballet me largime nën presion dhe me shumë pjesëtarë të lartë në moshë, pritet që së shpejti të bëhet zyrtarisht edhe ushtri. Pakoja me tri ligje të Qeverisë që krijon ushtrinë, tani është në Komisionin parlamentar, ku pritet votimi që hap rrugën procedimit për në seancë parlamentare për votim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img