Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, mbajti një tryezë pune me temën: Çka të bëjë Parlamenti për FSK-në?
FSK-ja është e gatshme të marrë kompetenca shtesë për misionin e ri, të jetë ushtri e Kosovës dhe të jetë pjesë e NATO-s
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore për Politikat e Sigurisë dhe Friedrich Ebert Stiftung, mbajti tryezë pune me temën: Çka të bëjë Parlamenti për FSK-në?
Tryeza u moderua nga Burim Ramadani, drejtor ekzekutiv në SPRC, ndërkaq në këtë diskutim kontribuuan anëtarët e komisionit parlamentar për siguri, deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues nga Presidenca dhe Qeveria, ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike.
Synim i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi opsionet që ka Kuvendi i Republikës së Kosovës në raport me të ardhmen e FSK-së, pas Rezolutës në Kuvend, iniciativës për Projektligjin e FSK-së, qëndrimeve të partnerëve strategjikë të Kosovës, si dhe rikthimit të idesë për përpjekje për ndryshime kushtetuese.
Pas një fjale hyrëse nga Burim Ramadani (SPRC) dhe Besa Luzha (FES), diskutoi edhe kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Daut Haradinaj, duke u fokusuar në atë se çfarë mund të bëjë në këtë proces komisioni parlamentar të cilin e ai përfaqëson. Me këtë rast, ai theksoi faktin se rruga më e mirë që Kosova ta formojë ushtrinë e saj është me anë të ndryshimeve kushtetuese dhe se partnerët ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion Listës serbe që t’i votojnë këto ndryshime.
Më pas qëndrimet e tyre për formimit të ushtrisë së Kosovës, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ligjore, i shprehën edhe anëtarët e Komisionit, Ganimete Musliu e Nuredin Ibishi, si dhe deputetët Rrustem Berisha e Haxhi Shala.
Në vijim foli edhe zv/ministri i FSK-së, Bejtush Gashi, duke theksuar faktin se iniciativa e Presidentit për këtë proces është në përputhje me të drejtën kushtetuese dhe ligjore dhe se procesi i shndërrimit të FSK-së në ushtri, është i qëlluar dhe i domosdoshëm.
Në vijim diskutuan edhe Agim Musliu, ekspert i sigurisë, Driton Selmanaj (KDI), Bislim Zyrapi dhe Bashkim Smakaj, këshilltarë të Presidentit.
Gjatë këtij takimi u theksua fakti se tashmë FSK-ja është e gatshme të marrë kompetenca shtesë për misionin e ri dhe të jetë pjesë e NATO-s. U vlerësua se në këtë proces të gjithë duhet të jenë unik dhe të japin kontributin e tyre. U vlerësua po ashtu nga të gjithë, se ushtria e Kosovës duhet të formohet sa më shpejt dhe se është koha e duhur për këtë.