Site icon PrishtinaPress

FSK e gatshme si nikoqire e pjesëmarrëse për ‘Defender Europe 23’

Tri ditë para, gjithçka është gati për ushtrimin ndërkombëtar Defender Europe 23, pjesë e së cilit Kosova do të jetë pjesëmarrëse e Nikoqire. Në FSK thonë se objektivat i kanë të qarta dhe përshkruajnë rrugëtimin që parashihet të bëhet mes Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ushtrisë Amerikane e 25 ushtrive të tjera të Botës.

Kosova nuk e ka për herë të parë rolin e nikoqires së një ushtrimi të jashtzakonshëm ndërkombëtar. Ajo ushtritë e NATO-s, do ti presë në shtëpi, për herë të dytë në këtë Defender Europe 23.

Ushtrimit më të madh ndërkombëtar që e drejton Ushtria e SHBA-së, FSK-ja do ti bashkëngjitet me hiç më pak se 1300 trupa, numër katërfish më i madh, me sa ishte rreshtuar në vitin 2021.

Bashkë me 25 ushtritë e tjera, e mbi 22 mijë ushtarët e huaj, ushtarakët e FSK-së, do të trajnohen edhe në shtetet e rajonit, teksa në Kosovë është përcaktuar lokacioni qysh herët.

“Përveç Kosovës do të marrim pjesë edhe në trajnimet dhe ushtrimet që do të organizohen në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Kroaci. Ushtrimi Defender Europe 23 do të realizohet në pjesën e Kosovës në rajonin e Babaj të Bogës në pjesën perëndimore të regjionit të Gjakovës. Do t’kemi gjithashtu edhe në aeroportin e Gjakovës njësitet e dislokuara që do të jenë në shërbim të ushtrimit”, ka thënë Ejup Maqedonsi, kolonel i FSK së.

Se i gjithë ky organizim është një test për ushtrinë e Kosovës e kanë të qartë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në FSK, për cka janë të vendosur për misionin, e synimet i kanë të qarta.

“Pra ndër objektivat e Komandantit të FSK-së është: ndërveprueshmëria me partnerët,  që nënkupton se me këtë dëshmojmë që ne jemi të ndërveprueshëm në operacione dhe trajnime bashkë me partnerët tanë. Gjithsesi do të testohemi, do të vlerësohemi për kapacitet tona jo vetëm, si të zhvillojmë trajnim dhe aktivitetet tona trajnuese, por gjithashtu si do ti presim partnerët tanë dhe aleatët tanë në Ushtrimin në Kosovë”, ka deklaruar Maqedonsi.

Ushtrimi që do zgjasë gati dy javë, e do të përfundojë më 2 qershor, të veçantë do ta ketë ditën e parë, 21 majin, ku qytetarët kanë rastin të shohin gjithçka nga afër në Prishtinë.

“Do të kemi ekspozim të pajsijeve, do të kemi ekspozim të trupave që do të marrin pjesë në ushtrim, domethënë kuptohet një pjesë të pajisjeve të cilat i kemi në dispozicion, do të ketë fjalime aktivitete tjera, do ta kemi një bend nga SHBA, që do te realizoj aspektin artistik, pra pika muzikore”, ka thënë ai.

Defenderin 23, arritje e ngjarje të mirëseardhur për Kosovën e vlerësojnë edhe ekspert sigurie e ish ushtarakë.

“Bashkëveprojnë në kuadër të strukturës së brendshme të FSK-së, po ashtu bashkëpunojnë edhe në aspektin ndërkombëtar që i jep një performancë të veçantë FSK-së kur ka të bëjë me sistemin e komunikimit, bashkëveprimit edhe normal përdorimit të kapaciteteve”, Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë.

Tanimë FSK-ja ka arritur që në kuadër të këtij Europe 23 të marrë pjesë me një regjiment e cila në vetvete ka një numër shumë më të madh të pjesëtarëve dhe kjo e afron Kosovën në rrugën e saj drejt partneritetit për paqe, në kuadër të saj edhe drejt anëtarësimit në NATO.

Ndërkohë, pak fjalë i kishte Ministri i Mbrojtjes në paralajmërim e këtij ushtrimi gjigant. “FSK, Forcë e gatshme për të kontribuar në çdo mision të NATO-s”.

 

Exit mobile version