Për rreth një miliard euro është rritur vlera e depozitave të klientëve brenda një viti në 12 bankat komerciale që operojnë në Kosovë.
Vlera e kursimeve në muajin maj të këtij viti, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka arritur në 5.6 miliardë, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka qenë rreth 4.8 miliardë euro.
Norma mesatare e interesit në depozitat e afatizuara në sektorin bankar është 1.8 për qind.
Ekspertët financiarë dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit konsiderojnë se do të ishte në interes të shoqërisë që këto mjete të investoheshin në biznese e të mos mbaheshin në banka si para të gatshme.
Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, njëherësh ish-anëtar i Bordit të BQK-së, thotë se viteve të fundit është vërejtur një rritje e kursimeve. Sipas tij, kursimet në Kosovë janë më të larta krahasuar me disa shtete të rajonit.
E leverdishme, sipas tij, do ishte që këto mjete qytetarët t’i fusnin në qarkullim, që më pas këto para të kishin ndikim në përmirësimin e situatës ekonomike.
“Pjesa më e madhe e këtyre depozitave, por edhe e kredive që japin bankat komerciale, nuk po shkojnë në hapjen e bizneseve që të hapen vende të reja pune, por po afatizohen në banka ose po shfrytëzohen për blerjen e patundshmërive”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sa i përket shteteve të rajonit, sipas raportit të BQK-së për vitin 2022, Mali i Zi prin me rritjen e depozitave me 24.4 për qind, pasuar nga Kosova me 13.3 për qind. Pastaj vjen Serbia me 7.0 për qind dhe Shqipëria me 5.9 për qind.
“Nëse hap biznes mund të dështoj dhe të humb kursimet”
Kushtrim Behrami nga Prishtina, punon si ekonomist në një ndërmarrje publike dhe merr pagë mujore prej rreth 700 eurosh.
Ai tregon se ka arritur të kursej një shumë të parave. Por, kursimet nuk janë vetëm nga paga e tij, por i ka bërë edhe me ndihmën e anëtarëve të familjes, të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës.
Behrami synon që në të ardhmen të hapë një biznes familjar, por thotë se iu frikësohet obligimeve.
“Kam dëshirë, por kam frikë. Kam shokë që merren me biznes dhe më kanë treguar se kushtet e të bërit biznes nuk janë të mira, ka shumë shpenzime. Qiraja është e lartë, pastaj ka tatim në qira për 10 për qind, obligime komunale e shpenzime për punëtorë. Këto janë arsyet dhe frika më e madhe që hezitoj sepse nëse vendosi t’i investoj kursimet që kam bërë, dhe të mos kem punë apo të dështoj në biznes, atëherë kjo është e barabartë me zero. Më humbasin kursimet dhe mundi im”, thotë ai.
Mbajtja e parave të gatshme nga qytetarët në bankat komerciale është shqetësuese për Skënder Krasniqin nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë.
Në mungesë të ofertës dhe një mjedisi të përshtatshëm të të bërit biznes, ai shprehet se qytetarët nuk mund të marrin guximin për të futur në qarkullim mjetet e tyre.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të krijojnë kushte, sidomos për bizneset fillestare.
“Politikat fiskale janë të dëmshme për bizneset që synojnë të futen në treg. Për një periudhë kohore, bizneset fillestare duhet të ndihmohen në pagesën e një përqindjeje të qirasë, të eliminohen taksat dhe tatimet, siç është lirimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar [TVSH] dhe të gjenden forma për ndihmë financiare”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës ka premtuar se do ofrojë mundësi biznesi për të rinjtë. Në programin e saj për vitin 2021-2025, thuhet se të rinjtë do ndihmohen në zhvillimin e ndërmarrjeve fillestare, të cilët do të tërheqnin investitorët vendës dhe të huaj, duke rezultuar në krijimin e vendeve të reja të punës. Po ashtu, për bizneset e fillestare, ekzekutivi ka premtuar se do të ndahen grante.
Derisa një pjesë e qytetarëve kanë arritur të deponojnë mjetet e tyre, një pjesë tjetër kanë marrë kredi. Vlera e kredive ka arritur në rreth 4.7 miliardë euro me normë interesi prej 6.5 për qind./rel