Site icon PrishtinaPress

Frika e Gjermanisë nga drithërat ukrainase

Fermerët gjermanë janë të shqetësuar: importet e lira të grurit nga Ukraina mund të ulin çmimet e tyre. Si do të veprojnë autoritetet?

Në Gjermani ka zëra që thonë se gruri në Ukrainë shitet me 70 euro për ton dhe se me këtë çmim mund të arrijë edhe në tregun gjerman.

Nëse kjo vërtet ndodh, ky do të ishte një lajm i keq për prodhuesit gjermanë të grurit. Sepse çmimi në bursë aktualisht është rreth 235 euro për një ton. Gruri i lirë i importuar nga Ukraina mund të shkatërrojë tregun gjerman dhe në këtë mënyrë do të shkatërronte edhe fermerët në këtë vend. Kjo është teoria. Por cili është realiteti?

Nuk ka shifra konkrete – vetëm supozime

Fakt është se shumë fermerë gjermanë janë të shqetësuar, por kur pyeten konkretisht pse, ndonjë përgjigje konkrete nuk ka. Shumë kanë dëgjuar se dikush njeh dikë që i ka thënë dikush se drithërat e lirë nga Ukraina janë futur në tregun gjerman prej muajsh. Ekziston frika se tregtarët dhe mullinjtë do të blejnë mallra të lira – pavarësisht sesa cilësore janë – dhe se fermeri gjerman do të mbetet me grurin e tij cilësor të pashitur.

Por sa drithëra kanë mbërritur vërtet nga Ukraina në Gjermani vitet e fundit dhe sa po vjen tani? Një zëdhënëse e Ministrisë gjermane të Bujqësisë thotë: “Nuk e dimë, nuk kemi shifra të sakta. Drithërat vijnë në Gjermani nga Ukraina, por nuk e dimë sa, nuk bëjmë statistika.” Kur gruri nga Ukraina mbërrin në Poloni, ai është brenda tregut të përbashkët evropian. Aty nuk shënohet se ku shkon malli, përmes cilave rrugë shkon ai dhe ku ndalet.

Nuk ka drithëra nga Ukraina tek mullinjtë gjermanë

Shoqat e Mullinjëve Gjermanë jep sqarime. Tetë milionë tonë grurë përpunohen çdo vit në mullinjtë gjermanë, drithi nga Ukraina është i parëndësishëm, shpjegon drejtori Peter Haarbeck. “Deri më tani janë importuar 50 mijë tonë drithëra ukrainase. Ato nuk përfundojnë në mullinj, por tregtohet më tej ose përfundon si ushqim për bagëtinë”.

Megjithatë, për shkak të situatës aktuale politike, është e mundur që në të ardhmen të vijë edhe pak më shumë grurë nga Ukraina. Megjithatë, këto janë sasi të vogla që nuk mund të tronditin tregun ose të ndikojnë në çmimet e drithërave, tha Haarbeck. Pra, pse kanë frikë fermerët gjermanë?

Eksporti përmes korridorit të solidaritetit në vend të Detit të Zi

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022, rrugët e zakonshme tregtare për eksportin e grurit nga Ukraina përmes porteve në Detin e Zi janë bllokuar. Drithërat që u nevojiten njerëzve në Afrikë nuk mund të eksportohen.

Tani janë krijuar të ashtuquajturat “Rrugët e Solidaritetit”, korridoret tokësore të solidaritetit. Që atëherë, drithi ka ardhur nga Ukraina në BE me trena, kamionë ose me anije nëpër lumenj – pa detyrime doganore dhe pa shumë burokraci. Objektivi kryesor janë vendet afrikane. Pasi presidenti rus Vladimir Putin anuloi marrëveshjen për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi, këto “rrugë solidariteti” tani duhet të zgjerohen.

Protestat e fermerëve evropianë

Por jo të gjithë janë të kënaqur me këtë ide. Në shkurt, fermerët polakë dolën në barrikada dhe bllokuan pikat kufitare me Ukrainën. Sepse gruri nga Ukraina, i cili në fakt duhej të mbërrinte në portin e Gdańsk në Balltik, nuk mbërriti atje, por mbeti në Poloni, duke shkaktuar një mbiofertë në këtë vend. Çmimet ranë dhe fermerët polakë nuk mund të shisnin më drithërat e tyre.

Protestuan edhe fermerët në Sllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari. Për shkak të kësaj, BE-ja mori një vendim për t’i ndihmuar ata financiarisht nga buxheti i BE-së dhe u vendosën masa mbrojtëse. Drithërat e importuara pa doganë nga Ukraina nuk mund të qëndrojnë në këto vende deri më 15 shtator 2023.

Por, sapo u vendosën këto masa mbrojtëse, në Gjermani u dëgjuan kritika. Fermerët gjermanë kanë frikë se gruri ukrainas nga Polonia do të përfundojë tani në Gjermani. Ministri Federal i Bujqësisë Cem Özdemir theksoi se gruri duhet të përfundojë në Afrikë dhe se problemi nuk duhet të transferohet në Gjermani. Në fund të korrikut në Këshillin për Bujqësi në Bruksel, ai kritikoi faktin se Polonia, Sllovakia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria po merrnin masa vetë, pa marrëveshje me të tjerët në BE.

“Kjo i prek të gjithë në BE, Evropa duhet të tregojë solidaritet dhe masat e mbrojtjes për Poloninë dhe vendet e tjera fqinje të Ukrainës nuk duhet të zgjaten pas 15 shtatorit,” tha zëdhënësja e Özdemir. Kur u pyet se kush u dëmtua konkretisht nga sjellja e Polonisë dhe nëse ka të drejtë Özdemir me kërkesën e tij për të mbrojtur fermerët gjermanë, zëdhënësja nuk jep përgjigje.

A bazohen thashethemet në propagandën ruse?

Le të kthehemi tek thashethemet se gruri ukrainas po shitet për 70 euro. Një fermer bavarez me lidhje të mira në Ukrainë thotë se gruri i bukës aktualisht shitet për rreth 130 euro për ton. Ai beson se thashethemet për futjen e grurit ukrainas në këto vende janë pjesë e propagandës dhe strategjisë së Putinit për të krijuar ndjenja anti-ukrainase në Perëndim.

Këtë e konfirmon edhe Dietrich Treis, i cili jeton dhe punon në Ukrainë që nga viti 1990 dhe drejton një fermë prej 4500 hektarësh, 70 kilometra në lindje të Kievit. Treis beson se Rusia është përfshirë në këtë çështje. Ai thotë se transporti nga ferma e tij pranë Kievit në Gjermani kushton të paktën 150 euro për ton, ata që janë më afër kufirit ndoshta mund të arrijnë një çmim prej 100 euro. “Shitësit me shumicë e paguajnë vetë rreth 95 euro grurin që e marrin nga ferma. Prandaj pse dikush në Gjermani do ta shesë këtë grurë për 70 euro? Ekonomikisht nuk ka kuptim”.

Krijimi i panikut

Firma tregtare bujqësore me bazë në Mynih, BayWa, raporton se tregu për produktet bujqësore si gruri i bukës është shumë transparent, pasi çmimi bazohet në tregun e aksioneve – dhe norma ditore është ishte 238 € për ton në mesin e javës së kaluar. Zëdhënësja Antje Krieger thotë: “Këto thashetheme kanë pak të bëjnë me të vërtetën”.

As Shoqata e Fermerëve të Bavarisë (BBV) nuk beson se çmimet shumë më të ulëta nën nivelet e tregut botëror janë një skenar real. Por sipas zëdhënësit Markus Drexler, “fakt është që fermerët po pyesin se ku do të shkojë drithi ukrainas”. Deri më tani, nuk ka ndryshime të mëdha në treg. “Në bisedat me tregtarët javën e kaluar, nuk ishte e mundur të përcaktohej ndonjë rritje e ofertës së ndërmjetësve nga ky rajon (Ukraina)”, thonë në shoqatë. Ata kanë kërkuar në korrik që gruri ukrainas i destinuar për rajone të tjera të botës të mos hidhet në qarkullim në tregun e brendshëm të BE-së.

Exit mobile version