Site icon PrishtinaPress

Fried: Qeveria e Kosovës po e bën Beogradin të duket si palë e dëmtuar

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, ka thënë se nuk e kupton pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se me veprimet e veta, ajo po e bën Qeverinë në Beograd të duket si palë e dëmtuar, diçka që ai nuk ka besuar se mund të ndodhte.

Diplomati amerikan i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar vep je me miqtë e vet.

Në intervistën e realizuar nga REL në margjina të forumit të sigurisë, Globsec, të mbajtur në Pragë, Fried ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, dhe për qasjen e SHBA-së ndaj rajonit, varësisht kush fiton zgjedhjet presidenciale amerikane, në nëntor.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Fried, Kosova është kritikuar së fundmi nga Perëndimi për hapa të njëanshëm, rreth tentimeve për hapjen e urës mbi lumin Ibër për automjete, për mbylljen e institucioneve paralele, për mbylljen e Bankës së Serbisë në veri të Kosovës. Si i shihni hapat e Qeverisë?

Daniel Fried: I shoh me shumë vështirësi. Pra, nuk e kuptoj pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Kosovës ka arritur disi ta bëjë Qeverinë serbe në Beograd të duket si palë e dëmtuar. Nuk e kam menduar që kjo do të ishte e mundshme, por ajo e ka bërë. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara po shpërfillen dhe përplasja me miqtë e Kosovës nuk është në interesin e askujt.

Kosovarët nuk kanë nevojë që një amerikan t’iu tregojë që disa njerëz brenda administratës [së ish-presidentit amerikan, Donald] Trump kanë simpati të madhe për Serbinë. Nëse Trump fiton, ajo simpati mund të rikthehet. Nuk shoh asnjë arsye për t’i justifikuar politikat e njerëzve që do të vendosnin presion ndaj Kosovës, pa asnjë arsye, dhe ta mbanin komod Serbinë, kur nuk është në interesin e askujt.

Prandaj, veprimet e Qeverisë së Kosovës janë enigmë për mua. Kam lexuar deklarata të Ambasadës amerikane dhe zemërimi vërehet qartë. Sërish, nuk shoh interes.

Nuk është se kam simpati të madhe për separatistët serbë në veri, apo për njerëzit që e kanë bërë urën çështje të nxehtë. E kuptoj zemërimin. Por, ekzistojnë mënyra si të trajtohet dhe si të mos trajtohet kjo temë. E kam në mendje flamurin e Kosovës. Ai flamur është dizajnuar për t’u dukur si flamuri i Bashkimit Evropian. Yjet në flamur përfaqësojnë popullsinë e Kosovës. Ai nuk është flamur amerikan, është kosovar. Është flamur i mrekullueshëm, i cili tregon se Kosova nuk është krijesë e nacionalizimit etnik, por është vend i të gjithë atyre që jetojnë në të. Kjo është pikëpamja amerikane dhe e Bashkimit Evropian. Prandaj, nuk e kuptoj atë që po bën Qeveria e Kosovës.

Exit mobile version