Site icon PrishtinaPress

Freedom House: Kosova, pjesërisht e lirë

Freedom House ka publikuar raportin “Liria në botë 2019”, pjesë e tij është edhe Kosova.

Sfidat ndaj demokracisë në Shtetet e Bashkuara po testojnë stabilitetin e sistemit të saj kushtetues dhe kërcënojnë të minojnë të drejtat politike dhe liritë civile në mbarë botën, thuhet në raportin “Liria në botë 2019”, të lëshuar të martën nga Freedom House – grup joqeveritar, me seli në Uashington.

Raporti i bën një vlerësim të veçantë gjendjes së demokracisë në SHBA, në kohën kur presidenti Donald Trump është në gjysmë të mandatit.

“Derisa demokracia në SHBA mbetet e fuqishme për nga standardet globale, ajo është dobësuar ndjeshëm gjatë tetë vjetëve të fundit dhe sulmet e vazhdueshme të presidentit aktual mbi sundimin e ligjit, gazetarinë e bazuar në fakte dhe parimet dhe normat e tjera të demokracisë, kërcënojnë me rënie të mëtejshme”, thuhet në raport.

“Rreziku më i madh vjen nga fakti se demokracia amerikane nuk është pafundësisht e qëndrueshme, sidomos nëse një president tregon pak respekt për parimet e saj”, tha Michael J. Abramowitz, president i Freedom House.

“Ne kemi parë se si institucionet demokratike gradualisht po i dorëzohen presionit gjetkë në botë, si për shembull: Hungari, Turqi dhe Venezuelë. Vendet e tjera shohin se çfarë ndodh në SHBA dhe marrin sugjerime nga sjellja e liderëve të saj. Përkeqësimi i vazhdueshëm i demokracisë amerikane do të përshpejtojë rënien e demokracisë në mbarë botën”, tha Abramoëitz.

Sipas tij, dobësimi i demokracisë në SHBA nuk ka nisur me Trumpin, porse “retorika dhe veprimet e presidentit i kanë dëmtuar masat mbrojtëse kryesore, përfshirë sundimin e ligjit dhe besimin se zgjedhjet janë të lira dhe të drejta”.

Raporti thotë se në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2018, ka pasur rënie të sundimit të ligjit që e ka vënë demokracinë amerikane “në nivel me Greqinë, Kroacinë dhe Mongolinë” dhe nën demokracitë si Gjermania dhe Britania.

Kosova, pjesërisht e lirë

Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgizinë, Armeninë e të tjera nga bota, transmeton rel.

Serbia, në raportin e vitit të kaluar, ka qenë në mesin e vendeve të lira, por ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të, siç thuhet, parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviq ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.

Te pjesa për Evropën në përgjithësi, Freedom House thekson se dhuna ka arritur shtypin në Sllovaki, ku gazetari hulumtues, Jan Kuciak, është qëlluar për vdekje, pasi ka zbuluar lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.

Në Turqi, thuhet në raport, zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare dhe presidenciale janë zhvilluar nën gjendje të jashtëzakonshme, e cila është hequr më vonë, porse autoritetet “kanë vazhduar të angazhohen në spastrimet e institucioneve shtetërore dhe arrestimet e gazetarëve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe akademikëve”.

“Vladimir Putin i Rusisë dhe Ilham Aliyev i Azerbajxhanit i kanë siguruar mandatet e reja presidenciale, duke përfituar nga taktikat me duar të fuqishme, përfshirë shtypjen e mediave të pavarura dhe të shoqërisë civile, abuzimin e burimeve shtetërore dhe persekutimin e kundërshtarëve të mirëfilltë politikë”, thotë, mes tjerash, Freedom House në pjesën për Euroazinë.

Nga 195 vendet e vlerësuara nga Freedom House, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 jo të lira.

Në grupin e parë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, ndërsa në fund të listës, më së paku të lira janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut.

Exit mobile version