Site icon PrishtinaPress

Frederik X bëhet mbret i Danimarkës, pasi Mbretëresha Margrethe abdikoi nga froni

Frederik X është bërë mbret i ri i Danimarkës të dielën, pasi nëna e tij, Mbretëresha Margrethe II, nënshkroi dorëheqjen edhe zyrtarisht pas plot 52 vjetëve në fron.

Margrethe, 83 vjeçe, e tronditi kombin natën e Vitit të Ri kur njoftoi se u bë monarkja e parë daneze në 900 vjetët e fundit që me vetëdëshirë heq dorë nga kurora.

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e kryeqytetit danez të dielën për ta përshëndetur Frederikun dhe për t’i thënë lamtumirë Margrethes.

Frederik u bë edhe formalisht mbret pasi Margrethe e nënshkroi deklaratën e abdikimit gjatë një takimi me Këshillin e Shtetit në Parlamentin danez të dielën në mëngjes.

Mbretëresha Margrethe II e Danimarkës duke u larguar nga tavolina pasi e nënshkroi dorëheqjen nga froni, për t’ia lënë djalit të vet, Mbretit Frederik X, udhëheqjen e monarkisë.

Më vonë gjatë ditës, Frederik u shpall mbret nga kryeministri i Danimarkës, Mette Frederiksen, në ballkonin e Parlamentit, me fjalët “Rroftë Mbreti Frederik i 10-të”.

“Shpresa ime është të bëhem mbret unifikues i së nesërmes. Kjo është një detyrë të cilën e marr me krenari, nder dhe kënaqësi”, tha Frederik në fjalimin e tij të parë pasi u bë mbret.

Atij iu bashkuan në ballkon edhe bashkëshortja e vet e lindur në Australia, Mary, e cila është mbretëreshë tani, si dhe fëmijët, Christian, i cili është trashëgimtar i fronit, Princesha Isabelle, dhe binjakët Princesha Josephine dhe Princi Vincent.

Më vonë, mbreti dhe mbretëresha e re parakaluan me karrocë nëpër rrugët e mbushura me njerëz në Kopenhagë për t’u kthyer në rezidencën e tyre, Amalienborg, kompleksin mbretëror të ndërtuar në vitet 1750, në qendër të Kopenhagës.

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e kryeqytetit danez të dielën për ta përshëndetur Frederikun dhe për t’i thënë lamtumirë Margrethes.

Ata e morën fronin në një kohë kur monarkia daneze po gëzon mbështetje të madhe publike.

Në sondazhin e fundit të bërë pasi Margrethe njoftoi se do të hiqte dorë nga froni, 82 për qind e danezëve thanë se presin që Frederik të jetë i mirë apo shumë i mirë në rolin e tij, derisa 86 për qind e thanë të njëjtën për Maryn.

Margrethe, e cila në të kaluarën kishte thënë se do ta mbante fronin përjetë, nuk ka treguar arsyet e vendimin për të hequr dorë, por tha se një operacion në shpinë që i ishte nënshtruar vitin e kaluar e kishte bërë ta mendonte të ardhmen. /REL

Exit mobile version