Kanë hyrë në ditën e dhjetë protestat e fuqishme në Francë kundër ligjit të ri të qeverisë për të rritur moshën e pensionit.
Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e qyteteve kryesore franceze nën moton “Unë nuk jam skllav”, në një kohë kur popullariteti i presidentit Macron ka rënë ndjeshëm që nga miratimi në mënyrë të njëanshme të kësaj reforme të shumë kundërshtuar.
Ministri i Brendshëm ka urdhëruar dislokimin e të paktën 13 mijë policëve pas akteve të dhunës që shënuan protestat e fundjavës.
Edhe protestat e sotme nuk kanë kaluar paqësisht, dhjetëra dyqane, makina dhe kazanë mbeturinash janë djegur, ndërkohë që përplasjet me forcat e rendit nuk kanë munguar.
Kundërshtisë civile i janë bashkuar dhe studentët të cilët kanë bllokuar prej ditësh tashmë dhe kampuset universitare.
Incidenti më i rëndë u regjistrua në Nantes ku protestuesit i vunë flakën filialit të një banke, fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz.
Në Rennes dhe Nice u bllokuan akset kryesore rrugore, ndërkohë që protestuesit pezulluan dhe qarkullimin e trenave me marshimin e tyre në hekurudhë. Policia hodhi gaz lotsjellën në drejtim të tyre për t’i shpërndarë.
Kryeqyteti Paris është mbushur nga mbeturinat për shkak të grevës së punonjësve të pastrimit, ndërkohë që është mbyllur akses dhe në zonat kryesore turistike, përfshirë atë të kullës Eiffel.
Sindikatat kanë kërkuar nga presidenti Macron të bëjë një hap pas dhe kanë ofruar dhe një ekip negociator, por deri në këto momente nuk ka ende një përgjigje nga kreu i Elizee, i cili në daljen e tij të fundit përsëriti se reforma e pensioneve është rruga e duhur dhe që do të vijojë të implementohet.
Organizatorët flasin për më shumë se 450 mijë persona në sheshet kryesore të Parisit, por shifrat e protestuesve mund të jenë disa herë më të larta po të përfshijmë këtu dhe manifestuesit në qytetet e tjera.