Tetë ndeshje nga fundi i Botërorit, pikërisht sot nis faza më drithëruese e turneut të Rusisë. Çerekfinalet do të nisin këtë të premte, me dy ndeshje të programuara në orën 16 dhe 20, që në fakt mund të konsiderohen supersfida, duke qenë se janë ato të “krahut të majtë” të skemës së shortit.
Sa i përket duelit të parë, ende nuk dihet fati i Cavanit. Sulmuesi i Paris SG-së është stërvitur veçmas grupit, e me siguri nuk do ta nisë titullar.
I pavendosur është edhe trajneri Tabarez, i cili në konferencën për shtyp në vigjilje të takimit tha se “ndoshta nuk do të luajë nga minuta e parë, por do të futet si zëvendësues”.
Në mungesë të tij, vendin e titullarit do ta zerë Stuani, në krah të Suarezit. Pjesa tjetër e skuadrës është e konfirmuar, asnjë ndryshim nga formacioni që u ndesh me Portugalinë, transmeton “Tch”.
Ndërkohë, për “gjelat” e Francës do të mungojë vetëm Matuidi, i skualifikuar për shkak kartonësh, vendin e të cilit pritet ta zerë Tolisso, në krah të Kantè e Pogba në mesfushë. Pjesa tjetër e ekipit, gjithashtu e pandryshuar nga ajo që u pa ndaj Argjentinës.
Një statistikë, formacioni “Celeste” është i pamposhtur përballë Francës në duelet e Botërorit. Në tri përballjet e mëparshme, amerikano-latinët kanë regjistruar një fitore dhe dy barazime, më e fundit në vitin 2010 pa gola.