Site icon PrishtinaPress

Franca: As nuk jemi konsultuar, as informuar për vendimin e Qeverisë

Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me Francën për shpalljen e dy formacioneve ilegale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste.

Ambasada franceze në Kosovë tha sot për Paparacin se qeveria as nuk është konsultuar, e as nuk e ka informuar Parisin lidhur me hapin e ndërmarrë të enjten.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten, një zëdhënës i ambasadës tha se Franca nuk është informuar paraprakisht për vendimin e qeverisë.

“Ne as nuk jemi konsultuar dhe as nuk jemi informuar paraprakisht për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e veriut’ si organizata terroriste”, tha një zëdhënës i Ambasadës së Francës, raporton Paparaci.

Në përgjigjen e ambasadës franceze janë rikujtuar edhe njëherë kërkesat e Bashkimit Evropian për tërheqjen e njësisë speciale nga afërsia e objekteve komunale, organizimi sa më i shpejt i zgjedhjeve në komunat veriore dhe rifillimi i dialogut.

Edhe tre aleatët kryesorë perëndimorë të Kosovës: ShBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe e kanë hedhur poshtë deklaratën e ministrit Xhelal Sveçla për koordinim në vendimin për shpalljen terroriste të dy organizatave në veri.

Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të qeverisë më 29 qershor i shpalli dy formacionet ilegale serbe “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste.

Në konferencën për media menjëherë pas mbledhjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se “për këtë hap, ne jemi në koordinuar” me aleatët perëndimorë.

Vetëm pak orë më vonë, ministri Sveçla u përgënjeshtrua nga një komunikim për media i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se “Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashington-in”. Të premten, edhe Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thanë se nuk janë konsultuar nga qeveria lidhur me vendimin. /Paparaci.com

Exit mobile version