1.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

Fragment nga romani “Mistere të koduara” i autorit Driton Smakaj

Kapitulli Trembëdhjetë

13 Dhjetor 1998
       Në Cahan, një fshat malor në kufirin Shqipëri-Kosovë kishin arritur 142 ushtarë të UÇK-së të ngarkuar me armë të shumta. E prisnin edhe një djalosh të vinte nga Kruma që t’i bashkohej grupit. Mujë Krasniqi ishte njoftuar që do i bashkohej Arbër Shkreli dhe plani ishte që Arbëri nuk do vazhdonte drejt Drenicës, por do të ndalej në Dukagjin. Donte të ishte në zonën e Rugovës si ushtar, aty ku kishte lindur, por si fëmijë i vogël 14 muajsh kishte shkuar në SHBA, meqë prindërit e tij kishin emigruar atje.

       Muja, ose i njohur si Komandant Kapuçi, me plagë ende të pambyllura në trup, ishte sëbashku me dhjetëra ushtarë në një dhomë të një shtëpie guri të fshatit Cahan dhe ishte ulur ballë për ballë me Beqir Gashin, rapsodin e këngëve folklorike, ia kishin krisur një kënge me çiftelia. Këndonin këngën e famshme ‘Thërret Prizreni mori Shkodër’, e shkruar nga poeti drenicas Sylë Bajrami.

       Bora kishte kaluar tetëdhjetë centimetra në malet e Pashtrikut dhe nata do ishte e ftohtë. Muja i plagëve të shumta ishte bërë një legjendë për gjahun që iu bënte spiunëve të Serbisë nëpër Kosovë. UDB-a e kërkonte me çdo çmim vrasjen e Kapuçit. 

       Ushtarët kishin qenë në masë, kur ishin nisur nga Kruma drejt Cahanit. Në dalje të qytetit ishin ndalur tek një kafiteri ku kishin porositur çaj të nxehtë. Një djalosh i ri ua kishte paguar çajat dhe si për kureshtje i kishte pyetur se kur do niseshin për Kosovë. Njëri nga ushtarët i entuziazmuar ishte përgjigjur ‘me kysmet sonte pas mesnate’. Kaq kishte mjaftuar që pas disa orëve një telefonatë nga paguesi i çajave të njoftonte Mustafë Marecin. Telefonata ishte interceptuar dhe regjistruar në arkivat e Shërbimit Informativ Shqiptar.

       Grupi i 142 ushtarëve pak para mesnatës, ishin nisur drejt kufirit. Ende pa kaluar 200 metra grupi i ushtarëve, arriti edhe një makinë ushtarake ku solli Arbërin që kishte një çantë me rreth 40 kilogram, me vete. E vuri shpejt në shpinë dhe i shpejtoi hapat për t’i zënë ata. 

Njëri nga ushtarët kishte një fletore me kopertina të forta ngjyrë kafe, i ngjante një ditari të vogël, ku kishte shkruar emrat e ushtarëve si dhe ditëlindjet e tyre. Arbëri i mbushur frymë arriti mbrapa ushtarit të fundit.

          ‘Tung shqipe!’, foli ai me zërin e tij duke lëshuar një frymëmarrje nga hapat e shpejtë që bënte nëpër borë.

          ‘Tung!’ foli ushtari që ishte mbështjellur sy e vesh nga të ftohtit e natës në Pashtrik. Ushtari që e kishte ditarin në xhep e kishte vërejtur Arbërin që i ishte bashkangjitur grupit. Bëri një hap anash dhe doli nga rreshti i ushtarëve, priti deri sa kaluan 6 ushtarët e fundit dhe u përshëndet me Arbërin. 

          ‘Sapo të ndalemi në vendin e parë për të bërë një pushim, do shkruaj emrin tënd në listen e ushtarëve.’ foli ai. Arbëri u prezantua, frymëmarrja ende nuk i ishte stabilizuar nga hapat e shpejtë për të arritur grupin e gjithashtu ende nuk e kishte kapuçin në kokë dhe shallin ngase në makinë nga Kruma në Cahan nuk i duhej.

          ‘Ngjite kapuçin, shallin e mbështillu mirë se shumë ftohtë bën rrugës.’ e këshilloi ushtari Arbërin dhe ai ashtu bëri. 

       Nga xhepat e uniformës nxori kapuçin e shallin, edhe dorëzat e lëkurës, e mbuloi mirë fytyrën duke lënë vetëm sytë të lirë që të shikonte para. E atje para tij, shikonte me kureshtje se si çahej bora nga këmbët e ushtarëve të lirisë.

       Forcat ushtarake serbe kishin veshur njësitin special të armatës në uniforma të bardha dhe kishin zënë pritat në vijat malore ku pritej të vinin ushtarët e UÇK-së. 1300 forca të armatosura kishin krijuar një zonë formë patkoi dhe qëllimi i tyre ishte të asgjësonin komplet grupin e ushtarëve të UÇK-së. Grupi i snajperistëve ishin pajisur me snajperë me dylbi nate të avancuara për të goditur sa më saktë objektivin. Kishin edhe grupin e murtajave dhe artilerisë së lehtë pjesë të planit. Kishin zënë pozitat me kohë dhe prisnin.

       Ushtarët e lirisë çanin borën me këmbët e tyre. Ecnin pandalim në natën e ftohtë me borë. Në ballë të grupit ecnin pesë ushtarë me përvojë dhe ishin rreth 150 metra para ushtarëve të tjerë. Pastaj ishte një grup rreth njëzet vetash të shkëputur përafërsisht 50 metra nga të tjerët në ballë të kolonës, pas të pestëve, mes tyre edhe Arbëri. Të tjerët ishin më mbrapa, të gjithë në kolonë. Një lëvizje strategjike për të mos rënë në ndonjë kurth ku shumë ushtarë do të mund të humbnin jetën. Ora kishte kaluar 2 e mëngjesit e çlirimtarët ecnin pa ndalur në një zonë malore me borë, temperatura minus 17 gradë celcius, të ngarkuar në shpinë me armatime të shumta, në një natë të ftohtë akull, djersët u shkonin gurrim ballit nën kapuç.

       Pesë ushtarët e parë bënin sytë katër, kishte kohë që kishin kaluar kufirin dhe në çdo moment mund të ndodhte ndonjë befasi e pakëndshme.

       Snajperisti serb i veshur në të bardha 300 metra përballë e kishte shenjuar ushtarin e parë. Në të njëjtën kohë një tjetër snajperist kishte shënjuar një tjetër ushtar të UÇK-së në mes të kolonës. Qëllimi ishte të sulmohet grupi në mes dhe në fillim për të shkaktuar ndarje të forcave dhe konfuzion.

       Një krismë kumbuese ushtoi malin, ndërsa plumbi përshkoi tejpërtej gjoksin e ushtarit të UÇK-së që ishte në ballë të pesë ushtarëve në fillim të kolonës, i cili vetëm shikoi borën e bardhë dhe u shtri mbi të duke e skuqur me gjakun që rridhte curril nga plaga e tij. Një tjetër krismë goditi në mes të kolonës një tjetër ushtar të lirisë. E krismat vazhduan pambarim.

       Krismat e para ishin vetëm fillimi i një beteje të përgjakshme. Ushtarët u shtrinë në borë sipas udhëzimeve që kishin marrë gjatë stërvitjeve dhe zunë pozicionet. Nuk ishte e lehtë të identifikoje armikun se ku ishte. Krismat u shpeshtuan pambarim e nata e ftohtë i ngjante një kaosi të përgjakshëm. Në grupin e të pestëve edhe dy të tjerë u gjetën nga plumbat e armikut. Bora e bardhë filloi të bëhej e kuqe.

       Zëra e britma dëgjoheshin e bashkë me krismat edhe zërat humbnin në lartësitë e Pashtrikut. Nga tytat e zjarrta të forcave armike mund të vërehej rrethi i gjërë që ishte bërë. Muja nuk e kishte të vështirë ta kuptonte që kjo betejë nuk do ishte e lehtë. Me sa zë që kishte jepte urdhëra për të shtuar zjarrin. Në një kurth të tillë vetëm plumbat drejt armikut të japin shansin e mbijetesës, në të kundërtën armiku ishte në avantazh, kishin zënë pritën dhe vetëm shënjonin objektivin. Snajperistët ishin më të rrezik-shmit sepse ishin në një distancë më të largët për t’i identifikuar. Muja rreth vetes kishte ushtarë me përvojë dhe mes borës që skuqej jepte urdhëra për tërheqje mbrapa, tjetër dalje nuk kishte. Për të bërë një tërheqje duhej zjarr i fuqishëm në drejtim të armikut, por armiku kishte bërë një rreth të gjërë e plumba duheshin shumë. Ushtarët e UÇK-së përmes tytave të tyre villnin zjarr e plumbat e tyre gjenin edhe kokat e trupat e armiqve. Në disa pika luftohej në distanca të afërta rreth 30 metra, priteshin vetëm edhe luftimet fyt a fyt. Disa nga ushtarët i kishin hapur bajonetat e automatikëve, e ndjenin që do hargjoheshin shpejt plumbat.

       Derisa luftohej, krijohej edhe një hapësirë për tërheqje mbrapa. Grupi i të njëzetëve së bashku me grupin e të pestëve mbesin të ndarë nga kolona, në luftime e sipër edhe dy të tjerë bien në luftime fyt a fyt me armikun derisa krijonin hapësirë për shokët që të gjenin një terren të thyer e të tërhiqeshin mbrapa.

       Mirëpo zjarri i tytave të armëve është edhe një e keqe në kohë nate, të identifikon vendin se ku gjendet ushtari. Snajperistët serbë e shfrytëzonin këtë situatë duke shenjuar ushtarët me saktësi. Beteja çdo moment bëhej më e ashpër, luftimet ishin për jetë a vdekje.  Sulmet e serbëve vinin nga të tri anët. Ushtarët që ishin në mes të kolonës ishin cak i pandërprerë i breshërive të armikut. Në më pak se një orë luftime, 29 ushtarë të UÇK-së bien dëshmorë duke u bërë mburojë me trupat e tyre për të shpëtuar shokët në planin e tërheqjes. 

       Nga grupi i njëzet ushtarëve që ishin në fillim të kolonës, kishin arritur të dilnin nga rrethi 11 ushtarë duke përfshirë edhe komandant Kapuçin. Nëntë të tjerë ishin të plagosur që kishin mbetur mu në rrethin e zjarrit të armikut e që disa prej tyre ende luftonin mes plagëve, disa kishin humbur vetëdijen e nuk dihej nëse ishin të vdekur apo ende jetonin. Edhe Muja ishte plagosur, e gjaku i shkonte curril në këmbën e djathtë. Zërat e shokëve të plagosur dëgjoheshin e Muja nuk zbrapsej. 

       Me një plagë në kraharor e një tjetër në këmbën e majtë, si një luan i maleve luftonte edhe Arbëri i cili kishte qenë në pikën më të afërt me 11 ushtarët tjerë që ia kishin arritur të dilnin nga rrethi i hekurt i armikut, e që ishte rreth 90 metra larg grupit të 9-të të plagosurve të tjerë, të cilët kishin mbetur krejtësisht të rrethuar nga forcat e shumta të armatës serbe. Kurrë nuk e kishte menduar që dita e parë e hyrjes në Kosovë do ishte aq e përgjakshme.

       Muja gati sa nuk ishte çmendur kur kishte parë Beqën mes shokëve të vrarë, shokun e këngës dhe të luftës. Urdhëroi pesë nga ushtarët e tij më me përvojë që t’i shkonin pas. Mendjen e kishte bërë top që të plagosurit të mos i linte në atë betejë të përgjakshme. E dinte që nëse i linin aty, forcat serbe do i zinin të gjallë dhe do bënin lajmet e botës. Nuk mund t`ia lejonte vetës një gjë të tillë.

       Njëri nga ushtarët e dinte që kthimi tek të plagosurit që kishin qenë në fillim të kolonës, ishte vdekje e sigurt, por lufta është e luftë e shokët e luftës janë vetë jeta.

       Mbushën mirë karikatorët e automatikëve dhe u nisën ballë për ballë rafaleve të plumbave që vinin sikur breshëri. Një grup tjetër rreth 20 veta, lëvizte me shumë kujdes mbrapa tyre që në rast të krijimit të hapësirës të ndihmojnë të plagosurit për të dalë nga rrethi i zjarrit të armikut. Muja me pesë ushtarët ecnin me hapa të shpejtë drejt shokëve të plagosur e armët e tyre villnin zjarr. Arbëri kishte zënë një pozitë ku kraharorin e plagosur e kishte futur në borë e bora skuqej, ndërsa me dorën e majt shtinte pa ndalur andej nga vinin plumbat e armiqve. Sytë e tij u ndeshën me sytë e Mujës.
          ‘Të lumtë pushka’ u dëgjua zëri i Mujës e Arbëri e vërejti që nga këmba e tij binte gjaku që linte currila nëpër borë. Arbërit iu shtuan shpresat që shokët do ia arrijnë ta tërheqin ngadalë edhe atë nga rrethimi. Plaga në këmbën e majtë ishte e madhe, kishte marr një këmish nga çanta, e kishte shqyer në dysh dhe e kishte lidhur sa për ta ndalur pak gjakun. 

       Situata ishte eksploduese, plumbat vinin si breshër e filluan të binin edhe predha të rënda nga mortajat. Armiku bënte çmos për të asgjësuar UÇK-në e bashkë me asgjësimin e ushtarëve të lirisë donin të vritnin shpresat e shqiptarëve njëherë e përgjithmonë për të qenë të lirë.

       Muja sikur e ndjente që nuk kishte dalje, e ndjente që ishin ato momentet e fundit të jetës së tij. Mblodhi forcën e trupit, ndërroi karikatorët e automatikëve, u ngrit në këmbë, në dorën e majtë kishte një automatik të shkurtër e në dorën e djathtë një AK-47, këmbën e plagosur e ngrihte zhagas pas vetës dhe u nis drejt rafaleve të armikut. Shokët që i shkonin pas nuk iu besonin syve. I ngjante një le-gjende lufte. Në të vërtetë sëcili prej tyre në ato momente ishte një legjendë njerëzore që ndanin momentet e fundit të jetës duke e shëndrruar borën e bardhë në të kuqe, duke shëndrruar dhimbjet dhe gjëmat e plagëve në zëra të fuqishëm të lirisë. 

       I pari që nisi hapat pas Mujës, u godit nga një plumb afër qafës mbi kraharorin e djathtë. 

       Një ’ohhh’ e zëshme i doli nga goja dhe me dorë shtrëngonte plagën. Muja e ktheu kokën, e pa që dy shokët e tjerë u afruan dhe morën ushtarin e plagosur, provonin ta tërhiqnin mbrapa në një terren pak të thyer, disa metra mbrapa Arbërit. 

       Predhat e murtajave binin, e një prej tyre mori dy ushtarët e Mujës përnjëherë dhe jetën e ushtarit që sapo ishte plagosur. Muja vetëm ra në gjunjë, shikoi plot dhimbje eksplodimin, e shikoi edhe njëherë Arbërin dhe u nis prapë drejt nëntë të plagosurve të tjerë, e që nënkuptonte drejt e në plumbat e armikut.

       Një plumb e mori Mujën në krahrorin e majtë duke ia hequr nga dora automatikun e shkurtër. Ai nuk u ndal, bëri edhe ca hapa më tutje e me kallash shtinte andej nga vinin breshëritë. Një plumb tjetër përshkoi gjoksin e tij dhe ishte goditja fatale. Muja u mbështet pak në kallashnikovin e tij, u shtri në krahun e djathtë, koka i peshoi mbi borë, me sytë çelur e me një buzëqeshje heronjësh, lëshoi frymën e fundit në atë natë të ftohtë akull, e sytë e tij sikur shikonin Pashtrikun me bardhësinë e ftohtë, si takimin e fundit të dashurisë së madhe ndaj atdheut.

       Edhe dy ushtarët e tjerë që nuk ishin vetëm pak metra larg Arbërit, nuk shihnin ndonjë shpresë për të hapur rrugë drejt nëntë të plagosurve. Breshëritë e plumbave vinin pa mbarim. Arbëri vetëm i vërejti që edhe dy ushtarët e tjerë u goditën nga plumbat dhe se tytat e tyre nuk gëlltitnin më zjarr.

       Ai shikonte përrreth dhe tashmë bora dukej diku e kuqe e diku e zezë, predhat e mortajave kur eksplodonin nxirrnin copëzat e tokës e që binin pastaj mbi borën e bardhë. Të pesë ushtarët që er-dhen sëbashku me Mujën nuk lëviznin më, vetëm bora skuqej me gjakun e tyre. Shpresat e Arbërit për të mbijetuar shuheshin nga momenti në moment. Filloi të shkonte zhagas mes shkurreve duke u larguar disa dhjetëra metra nga ajo zonë e mbushur me gjak e trupa të vrarë. Por forcë nuk kishte të vazhdonte më tutje nëpër borën e ftohtë. Ndjehej sikur të ishte Mohikani i fundit e që në ato momente aq tragjike të jetës mendonte vetëm për një njeri, për Melindën, vashën e ëndrrave, dashurinë e madhe të botës së tij. 
       Disi i dukej sikur çdo gjë u ndal, edhe dhimbjet e plagëve u ndalën, edhe të ftohtit e natës me borë i dukej sikur u zhduk diku, u ndalën krismat, u ndalën zërat, gjëmat e thirrjet për ndihmë.
       Dorën e futi ngadalë mes shallit tek fyti dhe e preku unazën e fejesës. Dora e tij plot gjak nga plagët, e gjakosi unazën, e shtrëngoi fort e momentet më të bukura të jetës me Melin iu shfaqën përpara syve.
          ‘Të dua përtej botëve’ pëshpëriti Arbëri e pëshpërimën e tij sikur e mori nata e ftohtë me vete për ta dërguar në botën e dashurisë.
Një predhë e mortajës eksplodoi vetëm dy metra larg Arbërit duke ia ndarë nga trupi shpatullën e djathtë të këmbës, e një copëz tjetër e predhës do t`ia ndante edhe gjysmën e fytyrës nga koka. Mo-hikani i fundit ishte dëshmori i fundit i një beteje të ashpër që historia e re e UÇK-së po e përjetonte shumë rënd.
       Nëntë ushtarët e plagosur, shumica prej tyre kishin humbur vetëdijën nga derdhja e gjakut, ndërsa dy prej tyre nuk kishin pasur më asnjë plumb për ta zbrazur, kishin mbetur mes forcave të armikut. Forcat e armatës serbe, do i gjenin ende të gjallë e në orët e hershme të mëngjesit do t`i merrnin me vete si robër lufte, sëbashku me trupat e 35 ushtarëve të vrarë…

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img