Dy serbët Momir Pantiq dhe Zharko Zariq të paktën për 30 ditët e ardshme do të qëndrojnë në paraburgim.
Ata dyshohet se kryen disa krime lufte në Istog. Për ta, nuk kanë fjalë të mira fqinjët e tyre në fshatin Luboshtë të Istogut.
I mbijetuari Haki Pepaj pretendon se me urdhër të, atij iu vranë babai, vëllau, agja, si dhe disa kushërinjë.
Lufta e fundit në Kosovë, Haki Pepajt, ia shkatërroi gjithë familjen.
Ai rrëfen se babai, vëllau, agja si dhe disa fqinjë iu vranë nga forcat serbe.
Gjithë këto krime, Pepaj thotë se u kryen me urdhër të Zharko Zariq, që gjatë lufës ishte komandant i nënstacionit policor në Istog.
“Ai e ka dhënë urdhërin. Ai ka qenë komandant i këtij vendi. Krejt këto tradhti, na i ka bo aj”, ka deklaruar Haki Pepaj, banor i Luboshtit.
Zariq u arrestua të shtunën nga Policia e Kosovës.
Kështu, shtëpia e tij në fshatin Luboshtë, ku dyshohet se i kreu disa prej krimeve, mbeti e zbrazët.
“Para luftës, nja pesë vjet para luftës nuk ka pas problem. Tani ja nisi pak situata duke u përkeqësu dhe u prish krejt puna. Veç me na pas mbrojtë, se ka pas shumë serbë këtu, me na pas mbrojtjë ne sot ishin. Tërë këtë lagje me e pas mbrojtë, e jo me i pre kojshitë, se tybe janë ardhë prej Serbie me i pre. Qita i kanë pre, Zharku me do të Resiqëve”, ka deklaruar Pepaj.
Pas luftës, Pepaj tregon se e takoi disa herë të arrestuarin Zariq.
“Nuk fol, nuk fol me ne. Bile ne këtu rrijmë, ai as kokën kah shpija ime nuk e kthen. Se nuk kanë deshtë kojshi. Muj të betohem se sa shtëpi të serbëve kanë qenë këtu, këtë lagje kanë mujtë me e mbrojtë vet, e jo me na e bo të zezë ditën. Me na rrethu, me rreh fëmijë, me rreh gra e fëmijë”, ka thënë ai.
Të dielën, Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar Zariq masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Njëjtë është vepruar edhe me Momir Pantiq, i cili gjithashtu përfundoi nën pranga të policisë nën dyshimet për krime lufte të kryera në Istog.
E Zariq ka qenë edhe më herët i ndaluar për të njëjtat akuza, mirëpo ishte liruar brenda 24 orëve.